Kryeministri Edi Rama, mëngjesin e së hënës mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste për të bërë të qartë qëndrimin e saj ndaj kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me deputetin Saimir Tahiri.
“A është i pafajshëm Saimir Tahiri? Në Shqipëri, pas prindërve të tij, vij unë që dëshiroj të besoj pafahësinë e Saimirit. Por, unë nuk jam prind”, e nisi fjalën e tij Rama.
“Në 8 vite punë në PS, ishte i pari që hyri në seli pas meje kur sapo isha zgjedhur kryetar. I ngjiti shkallët një e nga një me ambicie të fortë e vullnet të veçantë. Për meritat e tij u zgjodh edhe ministër i Brendshëm. Nuk i ndërhyra kurrë në zgjedhjet e bashkëpunëtorëve në Ministrinë e Brendshme. I miratova pa ngurrim kandidaturat për drejtorë të Policisë së Shtetit.
Nuk e kam pasur kurrë numrin e të parit apo të dytit në telefonin tim. Çdo mesazh të qytetarëve për policinë ia kaloja ministrit. Nuk kam folur në telefon me asnjë drejtor policie apo komisariati. Ishte jetëgjatë në detyrën e ministrit të Brendshëm sepse i dhamë besim të jashtëzakonshëm dhe nuk ia kursyem mbështetjen për ta drejtuar ministrinë si drejtues i pakontestuar i projektit më ambicioz. Sot jemi mbledhur të flasim për çfarë duhet të bëjmë ne lidhur me kërkesën e prokurorisë, që nuk kërkon vetëm masa të rënda shtrënguese, por edhe arrestimin e Saimir Tahirit”, tha kreu i qeverisë.
Edi Rama nënvizoi “kjo i ngjan një farse të inskenuar nga amatorë inatçi”, por theksoi gjithashtu se do të zhgënjehej shumë nëse “Saimir Tahiri nuk është ai që unë njoh dhe i kam besuar”.
“Është kopje surrogato e gjyqit politik që e kemi parë 4 vite në Parlament. Por, pyetja a është i pafajshëm nuk është e tepërt. Përgjigjen e Saimirit e kam dëgjuar: kam gabuar me makinën duke mos më shkuar mendja për pasojat. Nuk mund të mjaftohem me fjalën e tij sepse akuzat janë nga një organ ligjzbatues, jo nga kazani i politikës dhe medias. Do të ishte zhgënjimi më i rëndë nëse do të zbuloja se Saimir Tahiri nuk është ai që unë njoh dhe i kam besuar.
Ndaj, ju them, se për mua nga çasti i parë, sot e deri kur të dalë e vërteta nuk ka rëndësi asgjë tjetër përveç përgjigjes së pyetjes “a është i pafajshëm Saimir Tahiri?” Kësaj pyetjeje unë nuk i iki. Boll e kam bërë avokatin e Saimir Tahirit për 4 vjet. Nuk jam pishman sepse nuk kam si të jem. Kjo parti nuk do të bëhet mburoja e askujt përballë drejtësisë, por nuk do të lëmë që të griset Kushtetuta me alibinë se po luftohet krimi e korrupsioni. Drejtësi po, arbitraritet jo.
Në cilin shtet i kërkohet të akuzuarit të provojë se nuk është fajtor? E ka ndarë bota këtë punë: ai që akuzohet nuk ka detyrim të provojë se nuk i ka bërë ato për të cilat akuzohet. Janë ata që akuzojnë që duhet të provojnë akuzat që ngrenë mbi të. Kur shqiptarët presin nisjen e vettingut për të parë pas 27 vjetësh rezultatet e reformës në drejtësi, nuk mund të pranohet që drejtësia të hyjë në spiralen e një farse ndaj një deputeti”, u shpreh Rama.