Edi Rama i kundërpërgjigjet Enver Hoxhajt: Ne flasim për Kosovën, kjo është detyra dhe e drejta jonë

134

Moebel THEMA

Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se qeveria shqiptare është e bindur për të ndjekur një rrugë të re në marrëdhëniet me Serbinë, siç tha ai, duke qëndruar me fytyrë përballë njëri-tjetrit, e duke kapërcyer kufijtë e së shkuarës.

Kjo deklaratë vjen në komunikimin e tij përmes rrjeteve sociale, ku nënvizoi se Shqipëria nuk mund të rrijë më në vend numëro, (duke luajtur luftash me fqinjët), por duhet të çlirohet nga e shkuara.

“Zgjidhja për ne është ose të rrimë të ndarë me serbët me kurrizin kthyer nga njëri-tjetri dhe të përballemi veç e veç me vështirësitë e mëdha për shkak të tregjeve të vogla që kemi, ose të kthehemi me fytyrë nga njëri-tjetri, duke u nisur nga interesi për të fuqizuar ekonominë tone dhe të përballojmë problemet në paqe. Rruga e re, ajo me fytyrë përballë njëri-tjetrit, u rrezikon punën dhe karrierën atyre që patriotizmin e kanë profesion, por është e vetmja rrugë që siguron të ardhmen evropiane në paqe dhe prosperitet. Ne shqiptarët nuk e ndërtojmë dot të ardhmen pa kapërcyer kufijtë e së shkuarës. E ardhmja është në duart tona, le të mos ja lidhim këmbët vetes me litarin e së shkuarës”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai shtoi se ajo që na ndan me Serbinë, pavarësia e Kosovës, nuk mund të na pengojë në rrugëtimin e përbashkët për integrimin në Bashkimi Europian.

“Këtë javë vizitova Beogradin, një vizitë dy ditore e përgatitur prej kohësh. Për të çuar përpara një marrëdhënie strategjike, për paqen, integrimin dhe për zhvillimin tonë ekonomik e social edhe përmes shfrytëzimit të dimensionit rajonal në kontekstin e procesit historik të Berlinit. Shqiptarët dhe serbët e këtij shekulli të ri mund të bëjnë përmes njëri-tjetrit për veten e tyre dhe për Ballkanin, atë që francezët dhe gjermanët bënë për veten e tyre dhe për Europën duke kapërcyer me largpamësi rrënqethëse dhe vendosmëri titanike lumin e madh të gjakut që i mbajti të ndarë me shekuj të tërë”, tha Rama.

“Me këtë bindje të patundur, tek kjo ide fituese dhe për ta çuar atë përpara jemi angazhuar me një politikë të re ndaj Serbisë, një politikë dialogu, ku ajo çfarë na ndan prerazi, qëndrimi diametralisht i kundërt ndaj pavarësisë së Kosovës nuk na pengon të komunikojmë për atë që na bashkon rruga e përbashkët e integrimit europian dhe interesat reciproke për fuqizimin ekonomisë. Sa më shumë Shqipëria i flet Serbisë troç në sy për Kosovën dhe paralelisht i tregon popullit të saj vullnet për mirëkuptim aq më shumë mitet dhe ideologjitë vihen në vështirësi për ti ushqyer qytetarët e atij vendi me armiqësi ndaj atij vendi”, vijoi kryeministri.

Gjatë fjalimit “live” në Facebook, Edi Rama është zënë ngushtë nga një komentues. Marenglen Arapi e ka komplimetuar atë për “qëndrim të duhur për Kosovën”, por më pas ka theksuar se “ndoshta mund te ishte diskutuar më parë me Qeverinë e Prishtinës për rolin që mund të luaj Tirana zyrtare në bisedimet me Beogradin”.

“E them këtë pasi nuk më la shije të mirë replika e ministrit Hoxhaj. Cili është mendimi juaj zoti Edi Rama?”, ka pyetur Arapi atë.

Dhe siç ndodh rrallë, Rama i është përgjigjur atij. “Ne nuk flasim në emër të Kosovës, kjo është e drejta dhe detyra e Prishtinës, ne flasim për Kosovën, kjo është detyra dhe e drejta jonë!”, ka qenë përgjigjja e Ramës.

Kryeministri i Shqipërisë është kritikuar ashpër në Kosovë edhe për citimin e Ivo Andriqit në Beograd, kur dihet se ideologjia e tij ka qenë fashiste ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Image
Comments