Ekrem Bardha: Samiti i Diasporës i bashkoi shqiptarët në Tiranë

185
fresco

ekrem-bardha

midle

“‘Vatra’ të mos përçajë shqiptarët, të ecë nën shembullin e Nolit e Konicës”, thotëKonsulli i Nderit të Shqipërisë në Miçigan

 

Aristir Lumezi

Aktivisti i çështjes shqiptare në SHBA, Ekrem Bardha, filantrop dhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Miçigan, vlerëson Samitin e parë të Diasporës të organizuar nga qeveria shqiptare në Tiranë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Bardha shprehet se të gjitha qeveritë që prej vitit 1991 kanë pasur mundësinë që të zhvillonin një samit të diasporës në 25 vjet, por nuk e kanë bërë, ndërsa është i mendimit si ai duhet të vazhdojë në të ardhmen. Ekrem Bardha ndihet i çuditur me vendimin e shoqatës Panshqiptare “Vatra” për të bojkotuar këtë samit, vendim që nuk i ka lënë një shije të mirë. Duke vlerësuar historinë e lavdishme të kësaj shoqate, Ekrem Bardha i kërkon “Vatrës” që të rikthehet në shembullin e themeluesve të saj, Fan Nolit dhe Faik Konicës, për bashkimin e shqiptarëve dhe jo përçarjen e tyre.

 

Ju keni qenë i ftuar që të merrni pjesë në Samitin e parë të Diasporës të organizuar nga qeveria shqiptare. Çfarë ishte ky Samit për ju? A ishte i vonuar?

Samiti i organizuar pak ditë më parë ishte një mundësi e mirë ku shqiptarët nga të gjitha anët e botës të flisnim për Shqipërinë, Kosovën dhe kombin tonë. Prandaj në këtë kuptim, ky Samit ishte samiti i bashkimit të shqiptarëve. Ishte më se i nevojshëm për mbledhjen e tij, mendoj se është i vonuar, duhej të ishte mbledhur kohë më parë. Mundësitë kanë qenë si kur vendin e drejtonte Partia Demokratike, ashtu dhe kur socialistët ishin më parë në pushtet. Populli shqiptar ka një fjalë të urtë të tij që thotë: “Më mirë vonë se kurrë, më mirë vonë se asnjëherë”. Prandaj, në këtë kuptim, ky Samit duhet përshëndetur. Në këtë samit të bashkimit të shqiptarëve unë kam takuar bashkatdhetarë nga kontinente të ndryshme, si Australia, Zelanda e Re, Turqia, Europa, Amerika etj., dhe kjo tregoi se për të tilla bashkime kemi shumë nevojë.

 

Ju keni takuar personazhe të njohur në këtë Samit, çfarë përshtypjesh sillnin edhe ata?

Interesante ishte që gjatë Samitit, veç të tjerëve, kam takuar tre shqiptarë, të parët e të cilëve ishin larguar nga Shqipëria para 150 vjetësh. Ata ishin të moshës 40 vjeç, por stërgjyshërit e të cilëve ishin nga katundi im, Radanj i Leskovikut. Ata më treguan se ishte hera e katërt që vinin në Shqipëri dhe sa herë vinin, shkonin në fshatin e gjyshërve të tyre, për të parë origjinën e tyre, dhe pse vetë kishin lindur në Turqi. Kjo më emocionoi shumë. Shqiptarët kudo që ndodhen kanë mall dhe dëshirë për ta parë Shqipërinë sa më të zhvilluar. Ky Samit bëri që ata të flisnin më nga afër dhe më konkretisht për Shqipërinë e të ardhmen e saj. Uroj që kjo iniciativë të ketë vazhdimësi.

 

Ju jeni sipërmarrës, përse ka kaq pak investime të pjesëtarëve të diasporës në Shqipëri?

Unë nuk jam fort i kënaqur me kontributin ekonomik, sidomos në investime të diasporës në Shqipëri. Një nga arsyet, por që mbetet kryesore, është mosfunksionimi i shtetit ligjor, ligjet shkruhen, por nuk zbatohen. Diaspora nuk ka besim të financojë në Shqipëri, jo sot, por gjatë gjithë viteve të pluralizmit që nga 1991-shi, për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit. Ata nuk do të pranonin kurrë që një investim të nisur në Shqipëri, për arsye patriotike, sepse Shqipëria nuk përbën një treg të madh, t’ua vidhte një zyrtar që kërkon ryshfet. Kjo ka bërë që investimet e diasporës të kenë qenë të ulëta vazhdimisht në Shqipëri. Sa më shpejt të vendoset drejtësia dhe shteti ligjor, aq më shpejt do të vijnë dhe investimet e diasporës këtu. Por ky Samit nuk duhet marrë si momenti që pas tij do të vërshojnë investimet e diasporës drejt Shqipërisë, por është një hap i parë në drejtim pozitiv. Më pëlqeu dhe angazhimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që Samiti i ardhshëm të zhvillohet në Prishtinë.

 

Por duket se jo të gjithë përfaqësuesit e diasporës e kanë pritur pozitivisht këtë Samit. Shoqata “Vatra” ka munguar në këtë Samit, ndërkohë që e ka quajtur atë si fushatë paraelektorale të qeverisë Rama, duke kujtuar se kjo qeveri në këto tre vjet nuk ka bërë asgjë për diasporën e SHBA-ve. Si e shihni këtë qëndrim të “Vatrës”?

E para, unë dua të sqaroj se nuk përfaqësoj qeverinë e Kryeministrit Rama dhe as e mbroj atë. Më vjen keq që “Vatra” ka marrë një vendim për të cilin unë nuk jam dakord. Bojkoti që “Vatra” i bëri këtij Samiti nuk shkon dhe me qëllimin e krijimit të saj, që ishte vatra e të gjithë shqiptarëve, e bashkimit të tyre. “Vatra” ka historinë dhe vlerat e saj, por ajo ka bërë gafa të rënda në të shkuarën. “Vatra” sot duhet të mos bëjë gabimet e kryeredaktorit të saj në vitet ’50-’60, Qerim Panariti, i cili na sulmonte ne nacionalistët e diasporës në emër të qeverisë së Tiranës me të njëjtat fjalë dhe epitete si ato që përdorte edhe Enver Hoxha. “Vatra’ ka një histori të lavdishme të saj dhe duhet të vazhdojë të kontribuojë në bashkimin e diasporës dhe shqiptarëve. Në saje të bashkimit të shqiptarëve u bë i mundur çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Të bashkuar shqiptarët vetëm fitojnë, të ndarë jemi të humbur. Prandaj deklaratat dhe qëndrimi bojkotues i “Vatrës” më ka befasuar dhe më ka lënë një shije jo të mirë, duke dalë edhe kundër aspiratave të themeluesve të saj, Fan Nolit dhe Faik Konicës. Në vend që të nxisë frymën e dialogut dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se cilit krah politik i përkasin, “Vatra” bën bojkote dhe nxit përçarje mes shqiptarëve.

 

Gjatë Samitit nuk ka pasur dallime partiake, ju aty keni takuar shqiptarë të preferencave të ndryshme politike…

Pa dyshim, ishte një mundësi e bashkimit të shqiptarëve. Unë ndjeva një kënaqësi të jashtëzakonshme kur takova kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në koktejin që organizoi me rastin e këtij Samiti Mark Gjonaj e ku morën pjesë qindra përfaqësues të diasporës nga të gjitha kontinentet. Në fjalën e zotit Basha, në qendër ishte bashkimi kombëtar. Edhe zoti Gjonaj, një atdhetar i lindur dhe i rritur në Amerikë, tashmë këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut, kërkoi bashkimin e të gjithë shqiptarëve pa dallim përkatësie politike. Prandaj nuk pashë ndasi në këtë Samit dhe as keqpërdorim të diasporës, aty ishin të gjithë.

 

 

“Vatra” bojkotoi Samitin

Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” nuk mori pjesë në Samitin e Diasporës të organizuar nga qeveria shqiptare. Këtë vendim “Vatra” e mori pak ditë para Samitit të Tiranës. “Federata Panshqiptare e Amerikës ‘Vatra’, në respekt të qytetarëve shqiptarë, nuk do të jetë e përfaqësuar në atë paradë paraelektorale të Kryeministrit, që nuk ka bërë asgjë për diasporën në tre vitet e keqqeverisjes, që i ka lënë shqiptarët e Amerikës pa konsullatë, ku jetojnë së paku gjysmë milion shqiptarë. Vendimi i Federatës ‘Vatra’ për të mos marrë pjesë në Samitin e Ramës u mor nga strukturat e saj”, është shprehur kryeredaktori i gazetës “Dielli”, Dalip Greca, organ i “Vatrës”.

 

Comments