Të ulur në një tavolinë, diku në Kosovë, kryeministri Albin Kurti dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, janë fotografuar me Goran Vasiljeviç, një serb nga Shtimja, i njohur si nacionalist serb dhe i afërm i ish-shefit të Ushtrisë Serbe në kohën e Slobodan Millosheviç-it, Nebojsha Pavkoviç dhe po ashtu famëkeq-it “Kapetan Dragani”, Dragan Vasiljkoviç, i dënuar për krime lufte.
Në foton e siguruar nga Albanian Post, të bërë nga Vasiljeviç, shihet Kurti bashkë me ministrin Rashiç dhe persona të tjerë, por Albanian Post nuk ka arritur ta identifikojë vendin.
Sipas burimeve të Albanian Post nga Policia e Kosovës, Vasiljeviç është i dyshuar nga organet e sigurisë në Kosovë si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë, e njohur si “BIA”.