Ekspertët: Deputetët e shumicës të iniciojnë seancën e Parlamentit

177
Ekspertët: Deputetët e shumicës të iniciojnë seancën e Parlamentit

Grupet parlamentare duhet të marrin nw kompetencë rivënien në funksion të parlamentit duke zgjedhur fillimisht kreun e tij, vlerësojnë ekspertët në vend. Pas këtij hapi, parlamenti duhet të diskutojë opsionet e daljes nga situata. Profesori Bajram Pollozhani për “Rruga drejt…” deklaroi se procesi i dhënies së mandatit nga presidenti është vetëm formal kurse zgjedhja e Qeverisë është në dorë të Kuvendit.

”Marrja e mandatit është vetëm një aspekt formal në besimin e mandatit pas një konstatimi për një shumicë. Është një rol ceremonial për konstatimin se në parlament është siguruar shumica dhe në mënyrë solemne t’ia besojë mandatin. Ai që e zgjedh Qeverinë dhe që e miraton programin dhe kabinetin, parlamenti dhe askush tjetër, grupet parlamentare, komisionet për zgjedhje dhe emërime, janë ata që mund ta bëjnë propozimin e Kabinetit Qeveritar”, tha Bajram Pollozhani, profesor, njofton Alsat-M.

Megjithatë Pollozhani vlerëson se fillimisht duhen bërë vlerësime politike për gjendjen e sigurisë kurse Qeveria aktuale me kërkesë të ministrave shqiptarë, me urgjencë të vendosë në rend dite edhe këtë pikë. Ish zv/kryeministri Imer Selami vlerësoi se citimi i nenit të Kushtetutës nga shefja e diplomacisë evropiane Feredika Mogerini, ishte mesazh i qartë se institucionet e vendit nuk e respektojnë atë.

“Ajo erdhi dhe na kujtoi se çka shkruan në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Duhet formuar, duke definuar formati i parlamentit me kryetar parlamenti dhe ajo të jetë porosia e parë që do të tregojë se kush e ka shumicën. Ose nga BDI ose nga LSDM, qoftë shqiptar qoftë maqedonas, me gjithë gjasat kësaj radhe të jetë shqiptar, do të jepet shumica se kush e ka shumicën parlamentare dhe kush e formon Qeverinë“, deklaroi Imer Selmani, ish zv/kryeministër.

Pollozhani dhe Selmani vlerësojnë se shumica e popullsisë në vend nuk dëshiron përshkallëzim të situatës por aktorët politik, veçanërisht kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, duhet të ndërpresë retorikën nxitëse ndëretnike.

Comments