Elezaj, portieri që po mahnit Italinë (Video)



Portieri i talentuar 20 vjeç, Entonjo Elezaj, ka debutuar me skuadrën e Perugia në Kupën e Italisë, në ndeshjen ndaj Genoas (4:3). Edhe pse portieri i përfaqësueses U21 të Shqipërisë pranoi katër gola në këtë ndeshje, ka marrë notën më të lartë dhe konfirmoi se është një talent me perspektivë.
Kur një portier pëson katër gola, normalisht nuk krijon një përshtypje të mirë, por kjo nuk mund të thuhet për Elezajn, i cili është vlerësuar me notën e lartë 7 nga portalet e njohur italian “Tuttomercatoweb” dhe “Calciomercato”.
“Është një nga më të mirët në fushë, edhe pse pësoi katër gola. Me ndërhyrjet e shkëlqyera mban gjallë skuadrën për të gjithë ndeshjen: shpëton ndaj Okampos, Simeones e Ninkoviç. Dorëzohet vetëm në kohët shtesë”, ishte shpjegimi i portalit të njohur italian për këtë notë të lartë.
E njëjta notë edhe nga portali tjetër italian, “Calciomercato”. “I kaluar në fillim nga Simeone, shlyen gjithçka në më shumë se një rast, duke iu kundërvënë Okampos apo edhe vetë sulmuesit argjentinas. Nuk mund të bëjë asgjë ndaj gjuajtjes së Pandev. Në pjesën e dytë bën fenomenin ndaj Ninkoviç, duke mbajtur në lojë skuadrën”.