Elmazi: Furnizimi me ujë të pijshëm, prioriteti im kryesor për Sarajin

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, në emisionin Hajde Flasim në TV21, ka theksuar se furnizimi me ujë të pijshëm do të jetë prioriteti kryesor në qeverisjen e tij, nëse merr besimin e qytetarëve.
“Elmazi theksoi se edhe pse Saraji është komunë me burime të pasura ujore, një pjesë e madhe e vendbanimeve ende përballen me mungesë të rrjetit të rregullt të ujësjellësit.”
“Ka vendbanime që sot e kësaj dite nuk kanë rrjet ekzistues, por përdorin linja të improvizuara. Problemi i ujit është pothuajse në çdo fshat të komunës sonë”, u shpreh Elmazi.
Përveç ujit të pijshëm, Elmazi paralajmëroi investime të mëdha në infrastrukturë. Sipas tij, projekti më i madh katërvjeçar do të jetë shndërrimi i rrugës “Dardania” në Saraj në bulevard modern me katër korsi.
“Kjo do të jetë arteria kryesore që do ta shndërrojë Sarajin në një qendër të vërtetë komunale”, tha Elmazi.