Elon Musk bëhet gjysmëtrilioneri i parë në botë

124
fresco

Shefi i kompanisë “Tesla”, Elon Musk, është bërë personi i parë që e arrin pasurinë prej më shumë se 500 miliardë dollarësh, pasi vlera e prodhuesit të veturave elektrike dhe e bizneseve të tij është rritur këtë vit.

Vlera e pasurisë së amerikanit arriti për pak kohë në 500,1 miliardë dollar të mërkurën pasdite sipas zonës kohore të Nju-Jorkut, para se të binte pak, në më shumë se 499 miliardë dollarë më vonë gjatë ditës, raportoi indeksi i miliarderëve i revistës “Forbes”, sipas televizionit BBC.

Përpos kompanisë “Tesla”, vlera e kompanive të tjera të tij, përfshirë atë për inteligjencë artificiale, “xAI”, dhe kompaninë e raketave “SpaceX”, gjithashtu thuhet se kanë shënuar rritje të vlerës muajve të fundit.

Kjo arritje e betonon më tej statusin e Muskut si njeriu më i pasur në botë financiarisht, dukshëm para rivalëve në sektorin global të teknologjisë.

Sipas indeksit të miliarderëve të revistës “Forbes”, themeluesi i kompanisë “Oracle”, Larry Ellison, është personi i dytë më i pasur në botë, me një pasuri prej 350,7 miliardë dollarësh.

Ellisoni për pak kohë ia zuri vendin e parë Muskut muajin e kaluar, pasi vlera e aksioneve të kompanisë “Oracle” u rrit për më shumë se 40 për qind.

Pasuria e madhe e Muskut është e lidhur ngushtë me mbi 12 për qind të aksioneve që i ka në kompaninë “Tesla”, të cilat kanë gëzuar rritje të dukshme të vlerës këtë vit./Nac

Comments