Emra të rinj në përbërjen parlamentare (VIDEO)

434

Të paktën 5 deputetë të rinj do të hyjnë në grupin parlamentar të LSDM-së. Ky numër mund të rritet edhe për tre deputetë nëse Kurto Dudush, Betian Kitev dhe Bllagoj Boçvarski fitojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Aktualisht spekulohet për shumë emra që do t’i zëvendësojnë kryetarët e sapozgjedhur komunalë. Në karrigen në të cilën qëndronte Petre Shilegov, me shumë gjasa do të ulet Tatjana Lallçevska, e cila ishte e katërta në listën e njësisë së parë zgjedhore. Aneta Simeska Dimoska nga Makedonski Brodi është një tjetër grua emri i së cilës përmendet si kandidatja më serioze për ta zëvendësuar Stefan Bogovein, i cili ia doli ta fitojë betejën në Karposh që në raundin e parë. Gruaja e tretë që hyn në kombinim është Lidija Tasevska nga Kumanova, e cila duhet ta zëvendësojë Maksim Dimitrievskin. Riste Tashev nga Negotina është emri që përmendet si kandidati më serioz për ta zëvendësuar Sasho Pockovin, ndërsa në vendin e kryetarit të ri të Strumicës, Kosta Janevskit, do të vijë Kostadin Kostadinov, i cili komunën e drejtoi për një kohë të shkurtër.

Ndryshime në përbërjen e deputetëve do të ketë edhe në radhët e VMRO-DPMNE-së, duke ditur se Johan Tarçullovski, Zoran Ilioski, Goran Manojllovski, Zoran Gjorgjievski dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre si deputetë. Bojan Stojanovski dhe Dragan Petkovski janë emrat që me siguri do ta zëvendësojnë Gjorgjievsin dhe Tarçullovskin, ndërsa në vendin e Zoran Ilioskit me shumë gjasa do të ulet Sonja Tallevska.

Ndryshime do të ketë edhe në Lëvizjen BESA ku në vendin e Zeqirija Ibraimit i cili dha dorëheqje për t’u kandiduar për njeriun e parë të Çairit, me siguri se do të vijë Rexhep Memedi. Dorëheqje nga funksioni i deputetit dha edhe lideri i Lëvizjes BESA Bilall Kasami.

Merale Ferati dhe Imer Aliu janë emrat më të përmendur që mund të hyjnë në Parlament në vendin e Bardhyl Dautit i cili ishte kandidat për kryetar të Komunës së Tetovës. Burime nga partia, për TV21 thonë se ende nuk është marrë vendim përfundimtar nga organet partiake për atë se kush do ta zëvendësojë Bardhyl Dautin.

“Sipas informacioneve, në organin ligjvënës do të ulen 16 figura të reja në vendin e bashkëpartiakëve të tyre të cilët dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre për të marrë pjesë në garën për kryetar komunal. Një vendim të këtillë e morën 8 deputetë të LSDM-së, 5 të VMRO-DPMNE-së dhe nga një prej Besës, Aleancës dhe PDSH-së. ”

Ndryshim në lidhje me deputetët pati edhe disa ditë pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale kur deputeti i GROM-it, Çedomir Sazdovski vendosi ta braktisë partinë dhe koalicionin e VMRO-DPMNE-së për të vepruar si kandidat i pavarur në Kuvend. Përndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet në 35 komuna. 45 komuna tanimë e kanë kryetarin e tyre të ri. 21 Maqedoni

Comments