Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit në Tetovë

743

PROKURORIA: ENDE NUK JANË KRIJUAR KUSHTE PËR EKSPERTIZË

Pas një ditë të vështirë duke luftuar zjarrin që shpërtheu dje në hapësirat e ish fabrikës “Tabak Makedonia” dhe kompanisë “PoFix” në Tetovë, ekipet e zjarrfikësve kanë vazhduar gjatë ditës së sotme me sanimin dhe kthimin në normalitet. Shkaqet që shkaktuan zjarrin janë ende të panjohura. Sipas kryetarit të Komunës, Bilall Kasami, kompania është një biznes serioz dhe i ka plotësuar të gjitha standardet dhe parametrat të cilat kërkohen për siguri. Ai tha se do të presin konstatimet e organeve kompetente në lidhje me këtë.

“Sipas informatave që kam, biznesi është i siguruar dhe në këtë rast të gjitha standardet e sigurisë do të duhet t’i konstatojnë edhe institucionet përkatëse dhe të konstatojnë se si ka ardhur zjarri, ka ardhur nga pakujdesia njerëzore apo ka ardhur nga ndonjë rast të cilin nuk mund ta parashikojmë. Këtu ne si institucione do të presim vendimin, për shkak se dje gjatë ditës ka qenë edhe prokuroria këtu, të dalin me konstatimet e tyre dhe të marrim hapa të cilat mund të jenë në kuadër të ingerencave të tona si pushtet lokal”. – deklaroi Bilall Kasami.

Nga ana tjetër, nga prokuroria thanë për Klan M se, ende nuk janë krijuar kushte për të kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes.

“Prokuroria Themelore Publike në Tetovë është njoftuar nga MPB se deri në këtë moment nuk janë krijuar kushte për kryerje të ekspertizës në vend ngjarje. Ende zgjatë pastrimi i lokacionit dhe parandalimin e zjarreve të serishme. Pasi të krijohen kushte, prokurori publik do të kryejë ekspertizë në vend ngjarje, pas çka do të vendoset nëse dhe çfarë veprimet do të ndërmarrë”. – thonë nga Prokuroria themelore.

Pronari i kompanisë PoFix, ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe autoritet që ndihmuan në vënien nën kontroll të zjarrit, ndërsa tha se dëmet materiale të shkaktuara janë rreth 12 milionë.

Edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi ka vizituar vendin ku shpërtheu zjarri.

“Ka dëme të mëdha materiale, por ne themi se dëmet materiale gjithë bashkërisht do të mundohemi që t’i sanojmë. Mendoj që, ky ishte një rast i cili në fakt duhet të jetë si mësim për të gjithë të tjerët, ajo është edhe në kohëra kur duhet të bëhen investime të jemi bashkë, or edhe në kohëra të vështira duhet të jemi bashkë”. – deklaroi Bytyqi, zv kryeministër i Qeverisë.

Kujtojmë se, mëngjesin e së hënës, hapësirat e ish fabrikës “Tabak Makedonia” dhe kompanisë “PoFix” u përfshin nga një zjarr i madh. Përpos zjarrfikësve që punuan gjatë tërë ditës, në shuarjen e zjarrit u kyçen edhe helikopterë. Për shkak të seriozitetit të situatës, u ndërpre procesi arsimor, ndërsa qytetarëve apeloheshin që të mos dalin jashtë pa nevojë. Si pasojë e zjarrit, disa persona morën lëndime të lehta dhe të njëjtëve u ofrua ndihma mjekësore.

Comments