Enrique: S’dua t’ia di edhe po të jemi -100 pikë


Meqë Barcelona ka avantazhin e të luajturit në shtëpi, Luis Enrique nuk ngurroi aspak ta shprehë gëzimin e tij për këtë në konferencën e sotme për shtyp para “El Clasico”-s, edhe pse aktualisht skuadra e tij është gjashtë pikë larg Real Madrid-it në La Liga.

Katalanasit nesër do të presin “Los Blancos” në stadiumin mitik “Camp Nou” duke e ditur se humbja mund t’i rrëzojë rrezikshëm në tabelën e klasifikimit dhe kjo mund të vulosë mbase edhe fatin e sezonit. “Nuk dua t’ia di për ato gjëra (diferenca e pikëve), vendosni çfarëdolloj emërtimi që doni për to. Ne do të luajmë në shtëpi, kështu që nuk ka rëndësi nëse jemi 100 pikë pas tyre, sepse kjo është një shifër e madhe dhe ne duam t’u sjellim gëzim tifozëve tanë. Mendoj se do të luajmë kundër të njëjtit Real Madrid që kemi parë që kur Zinedine Zidane mori drejtimin”, – u shpreh tekniku para gazetarëve.
Enrique kurrsesi nuk shfaqi pasiguri në përgjigjet e tij të qeta. Ai vlerësoi kundërshtarin dhe kërkoi performancën më të mirë të mundshme nga Lionel Messi me shokë. “Madrilenët janë të organizuar shmë mirë në mbrojtje dhe nuk kanë nevojë për topin për të lënë përshtypje të mira. Edhe cilësia e tyre individuale gjithashtu nuk diskutohet. Ata kanë lojtarë të klasit botëror. Është një ndeshje e veçantë, sepse ata janë rivalët tanë dhe ne jemi në shtëpi. Duhet të jemi në nivel të lartë dhe të luajmë një ndeshje të mdhe për t’i mposhtur”, – nënvizoi asturiani. I pyetur për lojtarët të cilët do të mungojnë në klasike, Enrique tha se “është diçka që u ndodh të gjitha skuadrave gjatë sezonit dhe në sport mund të pritet”.
Barcelona po pret rikthimin e kapitenit Andres Iniesta (prej disa javësh i dëmtur në gju), kurse Real Madrid do të luajë pa dy yje në fushë nesër, Gareth Bale dhe Toni Kroos. “Nuk dua të flas shumë për këtë aspekt. Nuk ankohemi, sepse gjendja është ashtu siç është. Iniesta është i rëndësishëm për ne, por stili ynë i lojës nuk ndryshon vetëm pse mungon një lojtar i vetëm, sepse ky është një sport skuadre. Gjithsesi, disa lojtarë mund t’i japin një farë stili ekipit dhe për ne është lajm i madh që kapiteni u rikthye”, – shtoi strategu i kampionëve të Spanjës. Në fund, Enrique saktësoi se rezultati i nesërm nuk do të jetë vendimtar për fushatën sezonale të skuadrës së tij dhe se ai nuk do ta kërkojë fitoren si një mënyrë për t’iu përgjigjur kritikëve. “Nuk mendoj se dikush do të guxonte të thoshte se rezultati do të jetë vendimtar për kampionatin, por gjithsecili është i mirëpritur të thotë mendimin e vet. Unë nuk mendoj kështu. Është e rëndësishme të fitosh, sepse do të thotë të mposhtësh një rival të drejtpërdrejtë, por të dëgjosh kritikat para një klasikeje do të ishte naive. Kritikat janë gjithmonë të pranishme dhe i konsideroj të nevojshme.”