Erdogan reagon ndaj dosjes së hapur kundër djalit të tij në Itali

273

4bk83f4484bf28besd_800C450

Në një intervistë për Rai News, Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se çështja penale e hapur për djalin e tij nga autoritetet italiane mund të rrezikojë marrëdhëniet midis Turqisë dhe Italisë.

Kreu i shtetit turk i referohet një dosjeje të hapur nga prokuroria e Bolonjës për djalin e tij 35-vjeçar të quajtur Bilal, i cili akuzohet për pastrim parash. Rasti ka të bëjë me skandalin e vitit 2013, i cili tronditi të gjithë ambientin politik turk. “Përse nuk merren me mafien italiane, por merren me tim bir?” u shpreh Erdogan gjatë intervistës. Më tej, Presidenti turk u prononcua edhe në lidhje me tentativën për grusht shteti. Ai u shpreh se vendet perëndimore duhet të marrin një pozicion të caktuar në këtë mes, pasi sipas tij, deri më tani, këto shtete kanë qëndruar në anën e puçistëve. Erdogan u pyet edhe në lidhje me komentet e bëra nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikat e Jashtme, Federika Mogherini. Shefja e diplomacisë së bllokut ka shprehur shqetësim për një sërë çështjes përfshirë kritikat e ashpra në lidhje me mundësinë e rikthimit të dënimit me vdekje. Erdogan u kundërpërgjigj me një kritikë duke thënë se Mogherini duhet të vijë në Turqi dhe të shohë më parë se si është gjendja përpara se të komentojë.

Comments