ETIKETIMET


Xhelal Neziri
Saherë kam keqkuptime me njerëzit që kanë kaluar nga një tabor politik në tjetrin (jo me të gjithë, kuptohet). Pra, nga një parti politike në tjetrën. Ose, më direkt thënë – nga BDI në anti-BDI.
Kur ishin militantë të BDI-së mua më shumëzonin e pjestonin me PDSH-në pasi ua kritikoja partinë. As që mundohesha t’i demantoj sepse e dija se në mendjen e tyre të robëruar e mercenare nuk mund të ekzistojë një person që thjeshtë ka parime dhe qëndrime personale. Logjika e tyre thotë se nëse nuk je me ato, je i paguar nga kundërshtari i tyre.
Tani kur nga militantë u shndërruan në anti-BDI të flaktë tash më shumëzojnë e pjestojnë me BDI-në.
Assesi nuk mund ta kuptojnë nuk është problemi te unë, por te ata. Unë jam në të njëjtin pozicion si atëherë, kur më shihnin si PDSH pasi ua kritikoja BDI-në, si tash kur më shohin si BDI pasi nuk e kritikoj në bazë të preferencave dhe agjendës përfituese të tyre. Ata kanë ndryshuar perspektivën shkaku i transfereve politike që kanë bërë.
Kritikat dhe veprimet e mia janë kryekëput parimore, joemocionale dhe në interes të përgjithshëm. Nuk kam asnjë armiqësi individuale as me njerëzit e BDI-së, as me të PDSH-së, as me të LR-PDSH-së, as me të BESË-s, as me të LSDM-së, as me të VMRO-DPMNE-së. Përkundrazi, kam shumë miq te secila nga këto që i respektoj dhe më respektojnë. Ato bëjnë punën e tyre duke shfrytëzuar privilegje e benefite nga taksat tona, unë bëj misionin tim që të monitoroj dhe shpalos çdo politikë apo veprim të gabuar. Në këtë rast, është BDI në pushtet e cila duhet observuar në mënyrë kritike. Por, jo duke u udhëhequr nga interesi dhe mllefi individual dhe duke tentuar që këtë mllef ta imponosh te secili.
Unë jam i bindur se çdokush që tenton të qëndrojë në mes të rrugës merr goditje edhe nga ana e majtë, edhe nga e djathta. Është pozicion i vështirë, por sipas meje i domosdoshëm për gazetarët dhe intelektualët.