EULEX-i transferon mbi 1 mijë e 400 lëndë në Prokurorinë vendore

314

Prania ndërkombëtare në Kosovë nuk duket se është në trend zvogëlimi.

20 vjet pas luftës, në Kosovë janë ende të pranishme forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Ndonëse në një prani shumë të vogël, misioni i UNMIK-ut operon ende në Kosovë.

E ndonëse ndryshoi mandat, nga Kosova nuk u largua as misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Madje në Kosovë është një numër i madh i stafit të këtij misioni.

Në një përgjigje për lajmi.net nga EULEX, është bërë e ditur se në Kosovë aktualisht janë gjithësej 503 zyrtarë nga ky mision.

Megjithëse roli i EULEX-it u shndërrua në këshilldhënës për gjyqësorin, prapa vetes ky mision la shumë dosje.

Nga zyra për informim e EULEX-it është bërë e ditur se më shumë se 1 mijë e 400 dosje i janë dorëzuar prokurorisë vendore për t’u rishikuar dhe gjykuar.

Dosjet në fjalë, i përkasin natyrave të ndryshme.

“EULEX-i i ka dorëzuar Prokurorisë vendore më shumë se 1 mijë e 400 dosje. Të njëjta konsistojnë në gjykime të cilat kanë përfunduar, ato që janë ndërprerë ose shtyrë, si dhe ato të cilat janë arkivuar nga EULEX-i”, thuhet në përgjigjen e EULEX.

Nga ky mision bëhet e ditur se shumica e këtyre dosjeve kanë të bëjnë me krimet e luftës, krimin e organizuar dhe krime tjera serioze.

EULEX ka folur edhe për situatën e sigurisë në Kosovë, për të cilën ata thonë se e kanë në monitorim.

“Përderisa EULEX-i është një mision për sundimin e ligjit, ne monitorojmë edhe situatën e sigurisë në Kosovë. Me ndryshimin e mandantit EULEX ka marrë rol dytësor në këtë aspekt me kërkesë të Policisë së Kosovës, në një system të përbërë nga tre faktor, Policia e Kosovës dhe KFOR-i”, thuhet në përfundim të ligjit”, përfundohet në përgjigjen e dhënë për lajmi.net.

Theksojmë se ikja e EULEX-it nga Kosova ishte konsideruar si sfidë për institucionet e sigurisë në Kosovë.

Ky mision i Bashkimit Evropian konsiderohet si pasardhës i atij të OKB-së, UNMIK.

Comments