Evropa mund të përballet me mungesë të karburantit për avionë brenda tre javëve të ardhshme, duke rrezikuar seriozisht transportin ajror dhe ekonominë e Bashkimit Europian.
Paralajmërimi vjen nga ACI Europe, që përfaqëson aeroportet evropiane, e cila në një letër drejtuar zyrtarëve të Komisionit Europian thotë se situata mund të përkeqësohet nëse nuk rifillon qarkullimi në Ngushticën e Hormuzit në mënyrë të qëndrueshme.
Lexo edhe:
Bisedimet për paqen, delegacioni iranian takon kryeministrin pakistanez
Sipas organit të industrisë, një mungesë sistematike e karburantit mund të bëhet realitet nëse furnizimi nuk stabilizohet, duke ndikuar drejtpërdrejt në fluturime dhe lidhshmërinë ajrore në të gjithë Evropën.
Ndërkohë, paralajmërohet se kriza mund të godasë edhe sezonin e verës, një periudhë kyçe për turizmin në shumë vende të BE-së.
Disa kompani ajrore në Azi-Paqësor dhe SHBA kanë nisur tashmë reduktimin e fluturimeve për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburantit, i cili sipas të dhënave ndërkombëtare është më shumë se dyfishuar krahasuar me një vit më parë.

