Falja e borxheve shtyhet edhe për 6 muaj
Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë një konference për media njoftoi sot vendimin për shtyrjen e afattit të faljes së borxheve edhe për gjashtë muaj.
Me ministrin Hoti në konferencë ishte edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Qeveria e vendit përmes një ligji lironte nga borxhet e krijuara deri më 31 dhjetor të vitit 2008 të gjithë qytetarët dhe bizneset, raporton Koha.net. Bëhej fjalë për 680 milionë euro borxhe të krijuara prej tyre deri në datën e përfshirë për falje.
Përveç borxheve faleshin edhe ndëshkimet dhe borxhet për mos pagesë të shërbimeve të ndryshme.
Nga kjo datë borxhlinjtë detyroheshin me ligj të shlyejnë borxhet e krijuara deri atëherë.
Afati për për faljen e borxheve me arsyetime të ndryshme u shty disa herë dhe afati i fundit, që ishte 1 shtatori, zgjoi interesim më të madh ndër borxhlinj që të përmbushin detyrimin ligjor.
Në bazë të këtij ligji deri me dje ishin falur vetëm rreth 120 milionë euro.