Mercenari serb Millorad Ulemek – “Legija”, ish-komandant i njësisë famëkeqe “Beretat e Kuqe” të krijuar nga shteti serb dhe e akuzuar për krime lufte në Kosovë, Kroaci e Bosnjë, po vuan dënimin prej 40 vitesh për organizimin e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, të presidentit Ivan Stamboliq, si edhe për vepra të tjera penale.
Emri i tij këto ditë po ndërlidhet edhe me njërën prej vrasjeve më tronditëse që ende nuk është zbardhur të viteve të 90-ta në Britani të Madhe – atë të gazetares së BBC-së, Jill Dando.
Më 26 prill 1999, Dando u qëllua me një plumb në kokë në hyrje të shtëpisë së saj në Fulham, në perëndim të Londrës.
Në atë periudhë, lufta në Kosovë kishte marrë përmasat e tragjedisë botërore. NATO, kishte nisur bombardimin e caqeve serbo-jugosllave, për të ndalur spastrimin etnik.
Gazetarja e vrarë që kishte famë disa ditë para rastit fatal kishte apeluar pikërisht për ndihmë ndaj refugjatëve kosovarë , dhe e kishte quajtur Kosovën një ish territor jugosllav, që mendohet se kishte zemëruar regjimin në Beograd, në krye me “Kasapin e Ballkanit” Millosheviq.
Brenda pak orësh pas vrasjes së Dandos, një telefonatë ishte bërë në BBC, duke pretenduar se ekzekutimi i saj ishte në përgjigje të bombardimeve të NATO-s, transmeton Klankosova.tv.
Gazetat londineze përfshirë “Mirror” njoftoi se Policia Metropolitane ka konfirmuar se po analizon provat e siguruara pikërisht nga kjo gazetë, duke përfshirë pamjet e kamerave të një burri që në krahasimet e para gazetareske nëpërmjet ekspertëve të identifikimit përkon me mundësinë e përputhjes me fytyrën e Ulemekut.
Një ekspert i njohjes së fytyrës arriti në përfundimin se ata ishin plotësisht identikë në tiparet kryesore të fytyrës – formën e mjekrës, vijën e flokëve dhe gojën.

