Familja Bekteshi kërkon ndihmë, familja dhjetëanëtarëshe endet rrugëve


Fatet e trishta të familjeve në Hasanbeg nuk janë të pakta, nevojat e tyre janë të njëjta, por historitë janë të ndryshmetransmeton TVM2.
Thuajse secili prej tyre që para vërshimeve kishte shtëpi përdhese, kanë mbetur pa strehë mbi kokë. Edhe familja Bekteshi vuan të njëjtin fat. Dhjetë anëtarët e kësaj familje janë shpërndarë në vende të ndryshme deri në rinisjen e një jete të re, e cila si e shumë të tjerëve duhet të fillojë nga zeroja.
“Ne jetojmë në këtë shtëpi dhjetë anëtarë, bashkë me prindër, vëllezërit, motrat, fëmijët dhe bashkëshortja. Ne jemi strehuar në tre vende, unë jam strehuar në Shkup, prindërit dhe motra te halla në Hasanbeg, vëllai im këtu me një shtëpi në Hasanbeg te disa familjarë”,- tha Ejup Bekteshi.
Ai tregon trishtimin e përjetuar të asaj nate kur mezi arriti të shpëtojë fëmijët dhe familjen. Nuk ishte vetëm niveli i ujit që për një çast iu arriti deri në fyt, duke vështirësuar përpëlitjet për mbijetesë, por uji bashkë me vrullin e tij solli mbi këtë shtëpi edhe objekte të rënda të cilat morën gjithçka që ju doli përpara. Shtëpia e tyre është cilësuar si e pabanueshme nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve.
“Komisioni erdhi një orë para jush, kaloi Komisioni shpejt e shpejt dhe e bëni verifikimin dhe tha që kjo shtëpi është tërësisht e shkatërruar dhe nuk ka kushte për jetesë në këtë shtëpi. Kemi pas rregulluar, kemi punuar diçka çka kemi pasur mundësi me kushtet tona, por deshi Zoti u bë ky dëm i madh dhe ne nuk kemi çka të bëjmë. Për momentin kemi mbetu pa shtëpi”,- theksoi Ejup Bekteshi.
Ejupi falënderon Zotin që kanë shpëtuar shëndoshë e mirë, por ju bën thirrje institucioneve shtetërore të ndihmojnë sa më shpejt, sepse të endesh lartë e poshtë rrugëve me familje nuk është e lehtë.