Nga Franko Saliasi
Ecja nën zhegun përvëlues të gushtit. Teksa kalldrëmi i qëndisur me mjeshtëri dhe elegancë në urën e rikonstruktuar të Goricës i la vendin asfaltit të xhadesë, që ndan Osumin nga lagjia muzeale, tingujt e rëndë që buçisnin nga një godinë e vjetër aty pranë më ngacmuan kuriozitetin. Shkëndijat e zjarrit që ndrisnin në dritaren e asaj godine më lanë të kuptoja se kërkimi për zanatçinjë që mbajnë ende gjallë traditën e punës së dorës sapo kishte marrë jetë. Trokitja ime në derën e rëndë prej hekuri nuk u dëgjua dhe ndaj hyra si i paftuar në godinën që kryente funksionin e kovaçhanës së Hajdar Sharavollit.
Ndonëse ditë e hënë, usta Hajdarin e gjeta në kulmin e punës, duke rrahur me gjithë fuqinë e një 65 vjeçari një kazmë të sapodalë nga furra ku ai pjek hekurin që prej vitit 1995. Vitet që i rëndonin mbi supe dukej sikur nuk e pengonin aspak për të ruajtur me fanatizëm e përkushtim zanatin e kovaçit të trashëguar përgjatë 4 brezave në familjen e tij. “Është zanat i rëndë djalo – u shpreh ai. – Unë punoja në kovaçhanën e familjes që kur isha 15 vjeç. Babai më mbante pas vetes që fëmijë, por të jem i sinqertë nuk kisha dëshirë të madhe për t’u bërë kovaç”. Ëndrra e ustait ishte të bëhej muzikant dhe gjatë bisedës më tregoi me nostalgji për vitet e arta si violinist.
Për Hajdarin ishte pikërisht dita kur muzika humbi vlerën, ajo që e ktheu sërish në kovaçhanë. “Të bëja kovaçin më dukej e vështirë kur isha i vogël, por gjithë jetën time kam punuar në këtë zanat dhe kam ende takat për punë. Kam qenë pjesë e ndërmarrjes shtetërore edhe kur janë ndërtuar bunkerët e Enverit, për plot 45 vite”, theksoi usta Hajdari. Teksa kujtonte të shkuarën kovaçi i mirënjohur nuk la pa përmendur famën e mbiemrit të tij në kohën e diktaturës, që kishte mbërritur deri në Korçë e Gjirokastër.
“Ne Sharavollët jemi dalluar për punimin e hekurit. Babai im Maliqi dhe xhaxhai Bilbili, janë mbajtur si dy nga zanatçinjtë më të mirë në Republikë. Ata kanë dalë edhe në gazetat e kohës për aftësitë mjeshtërore si kovaçë”, theksoi me krenari ai. Në vijim të bisedës tregoi se ndjen keqardhje për faktin se nuk e bindi të birin për të ushtruar zanatin e kovaçit. Sipas tij brezi i ri refuzon të bëjë punë të vështira që duan forcë të madhe fizike. “Kam vetëm një djalë. Kur ishte i vogël vinte e shihte mënyrën sesi punohej në kovaçhanë. Punoi për rreth tre vite këtu me mua, përpara se të emigronte në Itali”, u shpreh ai.
Siç tregon Hajdari, djali i tij shpenzoi disa vite për të mësuar zanatin e kovaçit, sepse e shihte si detyrim moral ndaj traditës familjare, por jo se e pëlqente ose donte ta ushtronte përherë atë. “Vëllaçko – mu drejtua ai. – Ti, im bir dhe shokët tuaj nuk doni të nxini duart duke rrahur sëpatën për t’i dhënë formë apo të digjeni nga furra e pjekjes së hekurit. Ju doni punën me kalem”.
Në përfundim të bisedës usta Hajdari u shpreh se zanati i kovaçit herët a vonë do të zhduket. Më tha se produktet që vijnë nga vendet me industri të zhvilluar e mbysin tregun, por theksoi rëndësinë e vëmendjes që shteti duhet t’i kushtojë ruajtjes së artizanatit si vlerë kombëtare. “Qeveria duhet të investojë për ruajtjen e artizanatit. Le të hapen shkolla profesionale edhe për zanate si kovaçi, samarxhiu, tezgjahiste. Duke i kushtuar vëmendje zanateve në zhdukje mund të ecë përpara ekonomia e qyteteve turistike si ky i yni”, theksoi ai.
Kazan rakie nga duart e usta Llazarit
Teksa më përcolli i buzëqeshur me kokën zgjatur në dritare, kovaçi i Goricës më sugjeroi të vizitoja dhe punishten e Kallajxhiut që ndodhej në rrugicën, e cila përshkon zemrën e lagjes muzeale e të nxjerr tek “Ura e Varur”. “Nëse do vërtet të shkruash për fatin e zejtarëve të Beratit e ke aty më sipër dhe kallajxhiun djalo”, më udhëzoi ai. Teksa rrezet e diellit shuheshin nën hijen karakteristike të Goricës vijova ecjen sipas udhëzimit të tij dhe u ndesha me Fanin, mik i vjetër i familjes, i cili pasi mësoi arsyen e vizitës sime më shoqëroi deri tek porta e drunjtë e kallajxhiut Llazar Përroi.
70 vjeçari që me mirësjellje më ftoi të hyja brenda prej 45 vitesh ushtron zanatin, që një shekull më parë përbënte një nga 23 llojet e zejeve që ushtrohej në 820 punishtet zejtare të Çarshisë së Beratit. “Zanatin e kallajxhiut e kam të trashëguar nga babai. Im atë ka vdekur kur isha 2 vjeç, por ndihmësit të tij i kishte lënë amanet që të më mësonte mua zanatin”, tha ai në fillim të bisedës. Teksa i ulur këmbëkryq kallajiste një kazan rakie, Llazari më tregoi se zanatin e kishte mësuar kur ishte 9 vjeç.
“Fillimisht kam qenë çirak – tha ai. – Kam 30 vite që e punoj vetë, këtu në shtëpinë time. E rihapa dikur edhe dyqanin e babit tim, që është në rrugicën buzë Osumit”. Duke më njohur me metodat e punës, usta Llazari u shpreh se ndihet keq kur mendon se familja e tij, që ka nxjerrë kallajxhinj të njohur në zonën e Beratit do ta humbasë famën pasi i biri nuk e ka mësuar zanatin. “Unë u përpoqa t’ia trashëgoja djalit, por ai nuk do ta mësojë. I thashë që ky zanat nuk të lë kurrë pa bukë, sepse pesë lek do i marrësh, por atij i duket zanat i rëndë dhe i pisët”, u shpreh ai. Më tej, Llazari konstatoi se në zonën e Beratit kanë mbetur shumë pak kallajxhinj dhe se me brezin e tij do të shuhet ky zanat.
“Qeveria të ndjekë shembullin e Turqisë e të investojë për të ruajtur zejet dhe zanatet e vjetra si ky i kallajxhiut që po zhduken. Zanatet duhet t’i mësohen brezave të rinj nëpërmjet kurseve. Zejtaria sjell para biro, sepse turistët tërhiqen nga prodhimet tradicionale”, përfundoi ai. U largova nga Berati me shpresën se përbuzja e të rinjve për artizanatin do të kthehet herët a vonë në vlerësim. Investimet qeveritare duhet të bëjnë që qyteti, trashëgimi e UNESCO-s të gëlojë prej turistëve. Zejet dhe zanatçinjtë që dikur e bënin Beratin qendrën më të lulëzuar tregtare të Shqipërisë së Jugut duhet të ruhen e të krijojnë identitetin e munguar të rrugëve me kalldrëm që mbajnë ende gjallë kujtimin e tyre.
Mjeshtëria e gdhendjes së drurit dhe gurit
Pasi u largova nga shtëpia e kallajxhiut të mirënjohur vazhdova ecjen në labirintin e rrugicave të gurta, ku hasa një grup turistësh që fotografonin me kureshtje procesin e restaurimit të një prej shtëpive që formësojnë këtë amfiteatër banesash. Më tërhoqi tingulli i sinkronizuar i çekanëve që buronte nga ajo ndërtesë, ndaj iu afrova. Fati më buzëqeshi, sepse restaurimi i shtëpisë mbikëqyrej nga mjeshtri i mirënjohur i gdhendjes së gurit, Jorgji Fani.
I njohur në mbarë Beratin si Xhoxhi, ai në moshë shumë të re ka marrë titullin mjeshtër për punimin e gurit dhe regjistron 45 vite punë me monumentet e kulturës. “Në vitet ’73-’74 kreva shkollën për të mësuar gur gdhendjen – u shpreh ai. – Deri në vitet ’94-’95 kam punuar në ndërmarrjen shtetërore që varet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe siguron mirëmbajtjen e lagjeve muzeale dhe monumenteve të tjera”. Mjeshtër Xhoxhi theksoi se e dashuron zanatin e gurgdhendësit dhe ka qenë dëshira e tij për ta mësuar, por nuk e mohon faktin që të rinjtë e shohin me përçmim.
Sipas tij mungon dëshira, sepse rinia dëshiron ta nxjerrë lekun sa më lehtë, pa lodhje dhe sa më shpejtë të jetë e mundur. “Zanati i gurgdhendësit është tepër i vështirë, i mundimshëm dhe lodhja fizike është e madhe. Të rinjtë nuk e shohin si zanat të volitshëm dhe fitimprurës”, tha ai. Por ndryshe nga dy zanatçinjtë e mëparshëm mjeshtër Xhoxhi më tregoi se ka shpresë për ruajtjen e zanateve të gurgdhendësit, drugdhendësit dhe suvaxhiut falë një projekti, ku bashkëpunojnë një shoqatë gjermano-suedeze, IMK-ja, Ministria e Kulturës dhe ajo e Mirëqenies.
“Aktualisht po i mësoj zanatin grupit të dytë me 10 nxënës të grupmoshës 25-40 vjeç, që i kemi angazhuar në restaurimin e kësaj shtëpie. Ky është një trajnim 6 mujor, ku kursantët paguhen 5 euro në ditë. Ne synojmë të nxjerrim mjeshtrit e rinj gurgdhendës, që të bëjmë të mundur ruajtjen e trashëgimisë materiale në zona muzeale si Berati, Korça e Gjirokastra”, theksoi mjeshtri. Duke i kërkuar falje për shkëputjen nga puna, bëra të largohesha, por ai më ndali dhe më sugjeroi që të vizitoja punishten e mjeshtrit drugdhendës, Ladi Poçi, i cili gjithashtu ishte pjesë e projektit.
Në punishten e ndodhur pranë xhamisë “Mbret”, mjeshtër Ladin e gjeta duke i mësuar studentëve gdhendjen e një harku druri të dritareve të lagjes “Goricë”. Së bashku me studentët shqiptarë, aty gjendeshin dhe disa të rinj gjermanë. Mjeshtri që numëron 50 vite punë në ndërmarrjen shtetërore më tha se studentëve zanati iu mësohet gjatë restaurimit të monumenteve të kulturës. “Ne i angazhojmë në punë konkrete për restaurime në Mangalem, Goricë dhe lagjen Kala.
Këta kursantë mësojnë si trajtohet monumentet e kulturës sipas teknikave të shumëllojshme që ekzistojnë për punimin e gurit dhe drurit”, u shpreh ai. Pavarësisht se midis kursantëve ka elementë krijues, të talentuar që kanë dëshirë për ta përvetësuar zanatin, mjeshtër Ladi theksoi se tërheqjen e prodhon pagesa. “Unë i hyra këtij zanati kur isha ende në 8-vjeçare, kurse djemtë këtu i kanë kaluar të 20-at. Disa prej tyre vijnë vetëm për të marrë ato pak lek që jep fondacioni, por jo se e pëlqejnë zanatin”, tha ai.
Ai nënvizoi se ndërmarrja ka tashmë vetëm 4 drugdhendës nga 30 që ka pasur në fillim të viteve ’90, ndërsa theksoi se qeveria duhet të kujdeset për punësimin e kursantëve të aftë. “Problematikat e lagjeve muzeale janë të shumta dhe ka mungesë stafi për t’u përballur me to. Prej grupit të parë të kursantëve nuk është punësuar asnjë. Ministria duhet të marrë masa për punësimin e tyre dhe të bëjë vlerësimin e rrogave sipas kategorisë”, përfundoi mjeshtër Ladi. Përshëndetja miqësore me mjeshtrin e drurit i la vendin trishtimit. Qyteti i “një mbi një dritareve” u gdhend në mendjen time si një ndër strehat e fundit të zanatçinjve.