Pak ditë më parë shkruanim se të jesh femër në Shqipëri është një sfidë e madhe, sepse mentaliteti ynë është armik i barazisë.
Shumë prej jush nuk ishit dakord (jo shumica), kështu që ju sfidojmë me këtë kombinim: vajzë 15-18 vjeç, e lindur dhe e rritur në fshat, pa shkollë të lartë.
E dini se kjo është mosha kur në shumicën e fshatrave mendohet se vajzës i duhet gjetur burri? Pikërisht kështu dhe nuk e luan topi!
Madje, po mbarove gjimnazin dhe s’ke gjetur burrë, zyrtarisht ke ngelur në derë. Po, sepse një vajzë 19 apo 20 vjeç i frikëson vjehrrat, nxit dyshime. Mendohet se ato kanë pasur ndonjë histori të fshehtë dashurie dhe s’bëjnë për djemtë e tyre.
Pra, “janë prekur”…
Kulmi është “procesi” i fejesës. Vajza pret verën, kur vijnë emigrantët, dhe përpiqet të shkojë në çdo event të mundshëm. Me urdhër nga prindërit, se… kështu duhet.
Shkon në kishë apo xhami çdo javë, blen në dyqan me motrën apo tezen, nuk humb asnjë fejesë apo dasmë dhe shkon për të mbushur ujin në kroin e fshatit.
Kjo ndodh në verë, sepse atëherë është koha kur emigrantët “fluturojnë” me motorë apo makina, sikur të ishin bletë në kërkim të luleve. Një ngacmim, një njoftim te prindërit, nja 75639 biseda ndërmjet fiseve, “qoka”, investigime, lajme “flash”, spekulime “mediatike” dhe… u fejuaaaaaaaan!
Nuk ka fare rëndësi sa herë ka folur djali me vajzën. Me siguri, ai thjesht ka pëlqyer pamjen e saj dhe e ka pyetur “sa e ke orën?”. Ajo mund të ketë një mijë e një të zeza, por mjafton bukuria. Nëse ke lindur normale apo e shëmtuar, gjasat ulen jashtëzakonisht shumë.
fejesa
Kjo është jeta e fshatit, aty ku fati yt i jetës varet nga një kombinim gjen-alelesh të prindërve. Karakteri ka shkuar për lesh me kohë!
Djemtë emigrantë kalojnë ndoshta një ditë duke zgjedhur pantallonat në dyqan, një javë duke vendosur për celularin e radhës dhe diçka më shumë për gruan me të cilën do të kenë fëmijë.
Mos pyesni pse përmendim vetëm emigrantët, por shkoni në fshatra. Atje nuk gjen më të rinj, sepse nuk jemi në vitin 2017. Aktualisht po jetojmë vitin 1991.
Kaq ishte! Zot, na fal! /JOQ.al