Felps në histori, fiton medaljen e 21-të të artë
Michael Phelps arriti të lërë sërish shenjën e tij në histori, këtë herë si më i madhi i të gjithë kohërave duke fituar në garën e 200 metrave stili flutur dhe në stafetën 4 x 200 për meshkuj, për t’i bërë 21 medalje në total të arta në Olimpiada, duke parakaluar madje dhe Spitz. Në garën e tij të preferuar, ku u bë i njohur që 15 vjec, 200 metra stil flutur, Phelps arriti të fitojë medaljen e artë duke mbajtur pas japonezin Masato Sakai, që u rendit i dyti me katër të qindtat më pak se amerikani, që arriti të triumfojë gjithashtu dhe në stafetën e 4 x 200 për meshkuj bashkë me skuadrën amerikane që mori medaljen e artë përpara Anglisë, ndërsa vetëm bronz për Japoninë. Në garën e slalomit me kanoa, arriti të triumfojë francezi Denis Gargaraud, që fitoi me kohën e 94.17 sekonda duke qenë i parë sportist në këtë disiplinë që arrin të thyejë dominimin 20-vjecar të bashkombasit të tij Estanguet dhe sllovakut, Martikan që kishin fituar arin rregullisht që prej Atlanta 1996.
Medalja e argjendtë në këtë garë u mor ndërkohë nga sllovaku Benus, ndërsa i treti u rendit japonezi Haneda. Duke qëndruar në sportet ujorë, në garën e kërcimit të sinkronizuar nga trampolina 10 metërshe fitorja shkoi për kinezet Chen dhe Liu që morën arin përpara dyshes sllovene dhe asaj kanadeze, ndërsa në 25 metra pistoletë grekia Anna Korakaki mori medaljen e artë, e dyta për të në Olimpiadë, pas bronzit të Londrës. Në Judon e femrave, në peshën 63 kilogram fitorja shkoi për sllovenen Trstenjak ndërsa argjendi u fitua nga francezja Agbengenour. Po në Judo, por për meshkuj, në peshën 81 kilogram medalja e artë u fitua nga rusi Khasan Khalmurzaev që mundi në finle Travis Stevens të SH.B.A me ippon duke marrë arin në pjesëmarrjen e tij të parë olimpike.
Medalja e bronzit në këtë disiplinë u fitua ndërkohë nga Sergiu Toma i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe japonezi, Takanori Nagase. Në peshëngritje në kategorinë 63 kilogram për femra dominoi kinezja Deng Wei që vendosi rekord botëror duke ngritur 147 kilogram në shtytje por dhe në dygarësh me 262 kilogram në total. Medaljen e argjendte e mori koreano-verioria Choe Hyo Sim ndërsa bronz për kazaken Karina Goricheva. Në garën ekipore të gjimnastikës për femra, pesëshja amerikane Biles, Raisman, Douglas, Hernandez dhe Kocian rrëmbeu medaljen e artë duke mbrojtur titullin olimpik të Londrës me rezultatin e 184.897. Pas tyre në pod u ngjitën Rusia dhe Kina. Interesante finalja e Skermës, mes 20-vjecarit korean Park Sang dhe hungarezit Geza Imre, me sportistin aziatik që arriti të kthejë rezultatin në finale nga 14-10 në 15-14 duke fituar medaljen e artë për vendin e tij.