“Fëmijëria pa dhimbje dhëmbësh nis që në vitin e parë të jetës”, stomatologia Albanë Krasniqi në podcastin “Shëndeti në rend të parë”
Në episodin e 41-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Albanë Krasniqi, specialiste në pedodonci dhe stomatologji preventive, ka folur për rëndësinë e kujdesit të duhur dentar tek fëmijët.
Gjatë bisedës, Krasniqi thekson se shumë prindër gabojnë kur mendojnë se vizita e parë tek stomatologu duhet bërë vetëm kur fëmija ka dhimbje apo probleme dentare.

“Vizita e parë stomatologjike duhet të bëhet qysh në vitin e parë të jetës, konkretisht në momentin kur del dhëmbi i parë i qumështit,” shpjegon ajo. Qëllimi i kësaj vizite është kryesisht funksional – të edukohen prindërit mbi mënyrat e duhura të higjienës orale për fëmijët e tyre.
Albanë Krasniqi rekomandon që prindërit të përdorin brusha shumë të buta dhe pastë dhëmbësh të përshtatur për moshën e fëmijëve.
Për foshnjat shumë të vegjël, kur brusha është e vështirë për t’u përdorur, ajo sugjeron përdorimin e garzave të lagura me ujë të rrjedhshëm për pastrimin e dhëmbëve dhe mishrave.

Gjatë episodit Krasniqi ka folur edhe se si mund të ndihmojnë prindërit, fëmijët që të mos kenë frikë nga vizitat tek stomatologu, cilat janë shenjat që tregojnë se fëmija mund të ketë probleme dentare dhe kur duhet të kërkohet trajtim.
Ajo po ashtu tregoi se sa i rëndësishëm është ushqimi për shëndetin dentar si dhe ka treguar se cilat janë ushqimet që duhet të shmangen për një gojë të shëndetshme.