FFK-ja mban konferencë të papritur, pritet largimi i trajnerit Challandes

109

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka thirrur një konferencë të papritur dhe të pazakontë për media për sot në mesditë, në të cilën pritet ta njoftojë ndarjen me trajnerin Bernard Challandes.

Një ditë pas humbjes tronditëse nga Gjeorgjia, pas të cilës Kosova ra në vendin e fundit në Grupin kualifikuese për Kupën e Botës, FFK-ja ka thirrur konference të papritur për media, raporton Gazeta Express.

“Ju njoftojmë se sot (më 13/10/2021) në orën 13:00 në selinë e FFK-së do të mbahet konferencë për media”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Challandes ka kohë të gjatë që është duke u përballur me trysni dhe kritika të mëdha për rezultatet e dobëta dhe mënyrën se si i ka menaxhuar lojtarët verdhekaltër.

Moebel THEMA

Kosova i ka humbur pesë prej shtatë ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022, duke e arritur vetëm një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e tjera.

Jo vetëm që i humbi shanset për kualifikim qysh herët, por Kosova e Challandes tani rrezikon ta mbyllë grupin në vendin e fundit, ku edhe gjendet kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në mbylljen e fushatës kualifikuese për Katar.

Thirrjet për shkarkimin e Challandes nuk nisën në këtë fushatë kualifikuese, por para një viti kur Kosova e humbi shansin e rrallë për kualifikim historik në Euro 2020, pasi u mund nga Maqedonia e Veriut në play-off.

Që prej atëherë, 70-vjeçarit i ka dalë ekipi nga dora dhe ka parë vetëm rezultate të dobëta.

Challandes ka pasur probleme edhe me disa lojtarë, si Leart Paqarta që e braktisi Kombëtaren deri në largimin e tij, si dhe me Bernard Berishën dhe Edon Zhegrovën, të cilët s’i ka ftuar në shumicën e ndeshjeve kualifikuese për Botëror. /Gazeta Express/

Comments