FIFA shkruan për Kosovën dhe Kosovare Asllanin (FOTO)

408

Kosovare Asllani sonte mund të bëhet kosovarja e dytë që fiton medalje të artë në Lojërat Olimpike të Rios.
Futbollistja Asllani që përfaqëson Suedinë, do të kërkojë medaljen e artë ndaj Gjermanisë, në finalen që fillon nga ora 22:30.

Në prag të kësaj finale, FIFA ka shkruar për Kosovare Asllanin, futbollisten që e quan heroinë dhe model për dy shtete, për Suedinë ku ka lindur Kosovarja, dhe Kosovën, nga e ka prejardhjen familja e saj.

“Kur në vitin 1988 çifti Asllani u largua nga Kosova me dy djemtë e tyre të mitur për të provuar fatin në Suedi, një fëmijë i tretë tashmë ishte planifikuar. Një vit më vonë në Kristanstad, lindi një vajzë, suedeze nga vendlindja, por njëqind për qind kosovare nga gjaku. Prindërit vendosën ta quajnë Kosovare. Por ata as që kanë mundur ta parashikojnë se 27 vite më vonë, vajza e tyre do të arrijë finalen në turneun e Lojërave Olimpike me Suedinë, dhe ka mundësinë që të fitojë medaljen e artë. Për rastësi, në RIO 2016 për herë të parë mori pjesë edhe Kosova, si një shtet i pavarur”, shkruan FIFA, përcjell Lajmi.net.

“Unë jam shumë krenare që luaj për Suedinë dhe gjithmonë kam në zemër Kosovën. E gjithë familja ime është nga Kosova. Kjo medalje do të jetë e njëjtë si për Suedinë ashtu edhe për Kosovën, pasi të dy vendet kam në zemrën time”, deklaroi Kosovare Asllani për Fifan.

Ajo po ashtu flet edhe për pjesëmarrjen e parë të Kosovës në RIO 2016, ku fitoi medaljen e artë me Majlinda Kelmendin në xhudo.

“Ajo bëri krenare gjithë vendin, dhe unë shpresoj ta bëjë të njëjtën gjë”, shtoi futbollistja Asllani, që një ditë më parë në Instagram shkroi se me flamur të Kosovës do të shkojë stadium ku do të luhet finalja./Lajmi.net/

Comments