Fillon regullimi i parkut afër Stacionit të autobusëve në Tetovë
Komuna e Tetovës informoi se sot filluan punët ndërtimore për rregullimin e parkut i cili gjendet përballë stacionit të autobusëve në Tetovë.
Vlera e projektit në fjalë është 10 milionë denarë, prej të cilave 7.4 milionë janë mjete të financuara nga Byroja për zhvillim rajonal dhe Ministria për Vetëqeverisje Lokale, kurse 2.6 milionë denarë është bashkëfinancim nga buxheti i Komunës së Tetovës. Ky projekt realizohet në kuadër të Qendrës për zhvillim rajonal të Pollogut.
Ky park i cili po ndërtohet në këtë pjesë të qytetit do të jetë në një hapësirë prej afro 9000 m2 dhe është i distancuar 750 nga pjesa qendrore e qytetit. Parku do të paraqesë një tërësi multifunksionale, ku qytetarët do të munden të kalojnë kohën e lirë si gjatë ditës ashtu edhe në mbrëmje.
Ideja kryesore për organizimin e këtij parku është rregullimi i një shtegu primar për shëtitje dhe rekreim, i cili në mënyrë diagonale do ta ndajë këtë hapësirë në 2 pjesë, me qëllim që personat të cilët do të qëndrojnë në këtë hapësirë të gjelbër, të jenë sa më pak të ndikuar nga komunikacioni rrugor i automjeteve përreth.
Parku do të ketë edhe 2 sheshe hyrëse që në mënyrë simbolike do të shënojnë edhe hyrjet në të. Ndikimi i rrugës e cila kalon përreth parkut do të amortizohet përmes mbjelljes së rradhëve të drunjëve përgjatë këtyre 2 drejtimeve. Në këtë hapësirë janë të parapara edhe pajisje urbane, lojëra për fëmijë si dhe ndriçim public. Punët ndërtimore pritet të mbarojnë deri në fund të muajit shtator, me çka Tetovës do t’i shtohet edhe një park i regulluar në shërbim të qytetarëve.