Fillon seminari treditor i gjyqtarëve të Superligës dhe Ligës së Parë me ligjëruesin e FIFA-s, Subkhiddin Mohd Salleh

94

Sot ka nisur seminari treditor i gjyqtarëve të Superligës dhe Ligës së Parë, në kuadër të fazës përgatitore për sezonin e ardhshëm garues. Ky seminar tradicional, i cili mbahet dy herë në vit, para fillimit të çdo sezoni, shërben për të rritur cilësinë e ndarjes së drejtësisë, duke kombinuar njohuritë teorike me format praktike. Synimi i këtij seminari është përgatitja e çdo gjyqtar për sfidat që i presin në kampionat.

Në hapje të seminarit të pranishmit i përshëndeti presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Ai iu uroj mirëseardhje ligjëruesve nga FIFA, derisa vuri në pah besimin që FFK ka tek integriteti i gjyqtarëve. Njëherësh, ai kërkoi nga gjyqtarët që të jenë sa më të përkushtuar në këtë seminar, por edhe vigjilent në punën e tyre gjatë tërë kampionatit, në mënyrë që ndarja e drejtësisë të jetë në nivelin më të lartë.

Gjatë këtyre ditëve pjesëmarrësit do të dëgjojnë ligjërata të detajuara mbi rregulloren e lojës, interpretimet më të fundit nga IFAB, si dhe teknikat e menaxhimit të situatave të ndryshme gjatë ndeshjeve. Një fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe përdorimit të teknologjisë VAR, komunikimit efektiv me ekipet dhe kolegët e fushës, si dhe kontrollit të presionit psikologjik që sjellin momentet vendimtare të lojës.

Ligjërues në këtë seminar është instruktori i FIFA-s, Subkhiddin Mohd Salleh nga Malajzia. Ai vlerësoi lart përgatitjen, integritetin dhe të kuptuarit e futbollit nga gjyqtarët kosovarë, sidomos në situata të ndërlikuara që ndodhin gjatë ndeshjes së futbollit.

“Kam shikuar shumë klipe të rasteve që kanë ndodhur në edicionin garues vitit të kaluar në ligat tuaja. Jam tejet i kënaqur me vendimet që gjyqtarët kanë marrë. Ata janë të përgatitur dhe e kuptojnë futbollin shumë mirë, duke marrë vendime të sakta dhe duke menaxhuar situatat. Futbolli është emocion dhe është e natyrshme të ketë reagime mbi vendimet e tyre, megjithatë gjyqtarët kanë treguar integritet të lartë. Bashkërisht do të përmirësojmë disa elemente”, tha ai.

Tutje, për Mohd Salleh, VAR është një nga segmentet më të rëndësishme për vendimmarrjen në ndarjen e drejtësisë:

“Është shumë e rëndësishme që Kosova ka sistemin dixhital VAR dhe që po përdoret në mënyrën e duhur. Ato gjëra që është e natyrshme të mos vërehen në fushë, sidomos në zonën e penalltisë, kur ka grumbull të madh futbollistësh, kanë mundësi të rishikohen. Gjyqtarët nga VAR japin saktësisht pamjen, këndin dhe intensitetin e duhur, duke ndihmuar lojën dhe duke ofruar pamje që mund të çojnë në ndryshim vendimi që ai të jetë sa më i saktë”, shtoi instruktori i FIFA-s.

Përveç pjesës teorike, ky seminar do të ketë edhe pjesën fizike, ku gjyqtarët do t’i nënshtrohen testit intervalor të FIFA-s, i cili do të monitorohet nga përgatitësi atletik i FIFA-s, Simon Breivik dhe përgatitësi atletik i gjyqtarëve në Kosovë, Enver Tahiraj.

Faza përgatitore e gjyqtarëve ka filluar në muajin korrik, me qëllim që ata të jenë në gjendje optimale përballë ritmit intensiv të garave. Kjo fazë shërben si bazë e fortë për performancën gjatë gjithë sezonit, duke siguruar që çdo vendim i marrë në fushë të jetë i saktë, i drejtë dhe i mbështetur në standardet më të larta të profesionit.

Comments