Flamujt e Serbisë dhe Maqedonisë mbi Manastirin e Mateçit ndezin debat në Likovë

170

Një bluzë, e shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Në këtë fanellë janë stampuar flamuri serb dhe ai maqedonas, një imazh i kishës ortodokse, si dhe emri i fshatit Mateç – një lokalitet në Komunën e Likovës, i banuar pothuajse tërësisht nga shqiptarë. Ky fshat ka qenë një nga pikat më të ndjeshme dhe strategjike të konfliktit të vitit 2001, mes forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ushtrisë maqedonase.

Qytetarët kanë dërguar fotografi të këtyre bluzave në redaksinë e FaktiDitor.info, duke shprehur shqetësim të thellë për prapavijën dhe mesazhin që këto simbole mund të përcjellin. Ky shqetësim intensifikohet më tej nga fakti se e njëjta fanellë është publikuar nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkoviq, gjë që ka ngjallur reagime edhe më të ashpra, duke marrë parasysh natyrën provokuese që lidhet me figurën e këtij ministri në kabinetin qeveritar të Shkupit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, zëvendëskryeministri Stoilkoviq ka njoftuar se Manastiri në Mateç është gati të mirëpresë mysafirët për kremtimin e festës së Virgjëreshës së Vogël. Ai thekson se rruga është pastruar, është krijuar një vend parkimi pranë manastirit dhe gjithçka brenda dhe jashtë objektit është përgatitur me kujdes. Ai fton të gjithë që të mblidhen të dielën për t’i uruar kumbarit Nikolla për kontributin e tij në organizimin e festës.

Megjithatë, vendosja e flamujve të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi manastir po perceptohet si një provokim i hapur dhe i qartë ndaj shqiptarëve, jo vetëm të Komunës së Likovës, por edhe ndaj gjithë komunitetit shqiptar në vend.

Reagimet në rrjetet sociale dhe komunitetet lokale janë të shumta, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje për të rikthyer narrativat nacionaliste, të cilat u tentuan të shëroheshin pas Marrëveshjes së Ohrit. Disa prej komenteve paralajmërojnë se një nxitje e tillë simbolike, në një zonë kaq të ndjeshme si Mateçi, mund të shfrytëzohet për të tensionuar situatën në prag të zgjedhjeve apo zhvillimeve të tjera politike në vend.

Comments