Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp deklaroi zyrtarisht mbështetjen e forcës politike që ai drejton për kandidaturën e pavarur të aktorit dhe aktivistit Florjan Binaj, në garën për Bashkinë e Tiranës.
“Jam sot këtu për të informuar qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë se, mes një sërë kandidaturash të vlefshme, të propozuara si nga figura drejtuese brenda Partisë Demokratike, ashtu edhe nga personalitete të pavarura nga fusha të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, PD ka vendosur të mbështesë kandidaturën e zotit Florjan Binaj”, tha Berisha.
Ai shtoi se kjo zgjedhje është rezultat i një procesi konsultimi dhe reflektimi brenda partisë dhe se propozimi do t’i paraqitet edhe aleatëve opozitarë për mbështetje të përbashkët.
“Duke falënderuar me mirënjohje të gjithë ata që paraqitën kandidaturat e tyre në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe në përballje me të keqen që përfaqëson Edi Rama, Partia Demokratike mbështet zyrtarisht Florjan Binaj – një artist i mirënjohur, një personalitet i shquar publik dhe një zë i fuqishëm i kauzave qytetare”, deklaroi Berisha.
Aktori dhe aktivisti i njohur Florjan Binaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, të dielën e 5 tetorit.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Binaj thekson se vendimi i tij vjen pas më shumë se dy dekadash përfshirjeje në çështje publike me interes kombëtar dhe nga dëshira për t’i rikthyer qytetit një drejtim të pavarur nga politika partiake.
“Si një artist i përfshirë në çështje publike prej 22 vitesh, si një kryefamiljar i rritur në një kryeqytet që ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit, ndiej nevojën që Tirana të ketë në drejtim një figurë që nuk është gjymtyrë e asnjë partie,” deklaron ai.
Sipas Binajt, 34 vitet e fundit kanë treguar se mënyra e drejtimit përmes strukturave partiake nuk ka sjellë përmirësim të qëndrueshëm në jetën e qytetarëve. Ai thekson se është koha që kryeqyteti të ketë një “drejtues qytetar, të zgjedhur nga qytetarët për qytetarët”.
“Askush prej nesh nuk mund të presë edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur të shpall kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, për të përfaqësuar çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, pa ndarje, por si të barabartë,” shprehet aktori.
Në mesazhin e tij, Binaj u bën thirrje edhe forcave politike që pretendojnë ndryshim të sinqertë, që të mbështesin këtë nismë qytetare.
“Uroj që të gjitha partitë politike që duan vërtet ndryshimin, pavarësisht ngjyrave, të bashkohen me këtë nismë dhe të kenë besim tek qytetarët – ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta,” shkruan ai.
Binaj thekson se synimi i tij kryesor është që Bashkia e Tiranës t’u rikthehet qytetarëve si një “shtëpi e përbashkët për të gjithë”, duke e nxjerrë nga gjendja ku ndodhet për shkak të ndikimeve politike dhe duke e kthyer në një institucion që i shërben komunitetit.
“Dua të rikthejmë besimin tek institucioni i Bashkisë, në shërbim të qytetarëve. Ftoj të gjithë qytetarët dhe intelektualët, të majtë e të djathtë, të bashkohen me këtë nismë,” përfundon ai.