Foda: E njohim Zvicrën, mund të marrim rezultat pozitiv

304
fresco

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, të hënën në konferencën e parë para ndeshjeve të shtatorit, ka thënë se duelet kundër Zvicrës dhe Suedisë, janë ndeshje të vështira, por ai është shprehur i bindur se Dardanët do të japin më mirën këto dy ndeshje.
Kosova më 5 shtator luan kundër Zvicrës në Bazel, derisa tri ditë më vonë në ‘Fadil Vokrri’ do të përballet me Suedinë, sfida këto që do të luhen në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026’.

Strategu gjerman i kombëtares sonë, fillimisht tregoi se Edon Zhegrova për shkak të procedurave të transferimit të tij në Juventus, nuk do të mund të grumbullohet për këto dy ndeshje.

Por, Foda u shpreh i lumtur që Leon Avdullahu i është bashkuar Kosovës.

“Me Leon Avdullahun kam kontakte që disa kohë. Jam i lumtur që e kemi në ekip. Ai mund të luaj në çdo pozitë në mesfushë”, ka thënë Foda.

Ai thotë se nëse Kosova luan si ekip i bashkuar, do të marr rezultat pozitiv në duel me Zvicrën. Sipas tij, Kosova e njeh mirë skuadrën zvicerane.

“Se a do të fitojmë apo jo do të shihet të premten. Nuk jam parashikues. Por kemi besim, kemi treguar kualitet në ndeshjet e kaluara. E njohim mirë Zvicrën, i njohim mirë pikat e forta dhe të dobëta të saj. Nëse paraqitemi si ekip, të bashkuar, dhe nëse i zbatojmë të gjitha në fushë mund të arrijmë fitore apo të paktën barazim”, ka theksuar Foda.

Kosova sot në Kampin Nacional në Hajvali, do të zhvillojë seancën e parë para dueleve të shtatorit.

Comments