
Shkup, 16 shkurt – Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës akorduan edhe 700 mijë euro për trajnimin e gjykatësve, prokurorëve dhe juristëve tjerë. Arsyeja për këtë projekt, sipas materialeve të shkruara, është tejkalimi i mangësive dhe dobësive të vërtetuara.
“Së pari, duam ta forcojmë Gjykatën Kushtetuese, e me këtë edhe procedurat e saja individuale. Së dyti, duam ta avancojmë trajnimin për gjyqësorin, që të garantohet respektim dhe zbatim përkatës i standardeve për të drejtat e njeriut në nivel shtetëror. Dhe së treti, duam të luftojmë trajtimin joadekuat dhe mos-ndëshkueshmërinë, gjë që tashmë është fokusuar në mënyrë tematike”, tha Daniel Shmit, shef i departamentit për EJL dhe Turqinë, Këshilli i Evropës.
Projekti praktikisht do ta mësojë gjyqësorin e Maqedonisë, se si të punojë më shumë në përputhje me praktikën e Gjykatës në Strasburg. Ka shumë shembuj se vendi nuk e bën këtë gjithmonë. Shembulli i fundit është aktgjykimi që në Strasburg e fituan gazetarët e dëbuar nga galeria e Kuvendit në vitin 2012, pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të shtetit. Kreu i Gjykatës Kushtetuese lavdëroi Institucionin të cilin e drejton.
“Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë në punën e saj të deritanishme synon që gjithmonë kur përballur me çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut t’u referohet dispozitave nga Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut dhe pikëpamjeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, u shpreh Nikola Ivanovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës janë vetëm një pjesë e institucioneve që gjatë viteve të kaluara investuan në përmirësimin e situatave në gjyqësor. Nga ana tjetër, sipas raporteve vjetore të Komisionit Europian vendi ka shënuar ngecje në këtë fushë.