Më 30 shtator do të mbahet referendumi mbi pranimin ose jo të marrëveshjes së emrit mes Shkupit e Athinës, por polemikat në Maqedoni janë të mëdha e në shënjestër të tyre kanë përfunduar edhe shqiptarët.Kundërshtarët e nismës i konsiderojnë ata element destruktiv, duke i etiketuar si mbështetës të rrënimit të identitetit, gjuhës dhe kulturës maqedonase.
Një nga drejtuesit e frontit kundër referendumit, lideri i partisë Maqedonia Unike dhe një promotor i hapur i interesave ruse në Maqedoni Janko Baçev, ditë më parë tha se referendumi nuk do të ketë sukses, por se qeveria, partitë shqiptare dhe ambasadori amerikan, sipas tij, kanë nisur të frikësojnë popullin se gjoja do të ketë luftë nëse dështon referendumi.
Në këtë rast, Baçev për partitë shqiptare ka përdorur fjalën përçmuese “shiptarski”, të cilën e përdorin zakonisht shovinistët serbë, por edhe ata maqedonas.
Komentet e tilla kanë nxitur reagime të shumta. Organi i akuzës është njoftuar për rastin dhe thotë se po të konstatohen përmbajtje fyese, do të merren masa konkrete.
Ekzekutivi maqedonas ndërkohë e ka dënuar ashpër këtë akt, duke kërkuar që ai të mos përsëritet.
“Në historinë demokratike të Maqedonisë nuk ka ndodhur që ndonjë politikan, hapur, përmes televizionit të përdore gjuhën e urrejtjes ndaj një bashkësie të caktuar etnike dhe kjo nuk duhet të ndodhë më”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Një gjuhë e ngjashme urrejtjeje është përdorur edhe në tubime tjera të kundërshtarëve të referendumit, si në manifestimet për shënimin e ditës së 2 Gushtit, kryengritjes së Ilindenit, kur tifozët e një klubi të futbollit të njohur si “Komitët” brohoritnin parulla si “dhoma gazi për shqiptarët” dhe “shqiptar i mirë, shqiptari i vdekur”.
Posti i ardhshem
Prizren: 78 vjeçarja goditet për vdekje në vendkalim të këmbësorëve
Comments