Formula 1, të gjithë me sytë nga djali i Mikael Shumaher

200

Formula 1 mund të ketë shumë shpejt një tjetër Shumaher në radhët e saj, djalin e legjendës Mikael i cili gjendet prej disa vitesh në gjendje të vështirë shëndetësore. Mik Shumaher ka ndjekur gjurmët e babait dhe në moshën 19-vjeçare, për të po interesohen disa nga skuadrat më të mëdha të garave të automobilizimit.

Ai është në garë për t’u shpallur kampion europian në Formula 3 dhe skuadrat e mëdha të Formula 1, janë gati ta përfshijnë atë në programet që kanë për zhvillimi e pilotëve të rinj, jo thjesht për mbiemrin që mban. Shumë skuadra po e monitorojnë me kujdes dhe nuk është çudi që të përfundojë te Toro Roso, e cila teston shumë të rinj të cilët më pas bëhen pjesë e Red Bull.

Për momentin, Helmut Marko ka hedhur poshtë një hipotezë të tillë në skuadrën e tij, por Mauricio Arrivabene, i ka hapur dyert e Ferrarit për të. “Duhet lënë të rritet pa shumë trysni. Rezultatet e fundit kanë qenë shumë të mira dhe i uroj një karrierë të mbarë. Me një emër si të tijin, dyert e Maranelos janë gjithmonë të hapura, por pa djegur etapat”, tha ai.

Parashikohet që Mik vitin tjetër të jetë një pilot i tretë në Formula 1, ose një nga skuadrat të firmosë me të dhe ta dërgojë në Formula 2 për të fituar më shumë eksperiencë. /vipsport.al/

Comments