FOTO/ Barcelona nderon legjendën e klubit me një statujë prej bronzi

490
fresco

Klubi i Barcelonës ka zbuluar statujën e legjendës Johan Cruyff, e vendosur jashtë stadiumit mitik “Camp Nou”.

Miqtë dhe familja e ish-lojtarit dhe trajnerit të Barçës ishin të pranishëm në këtë ceremoni të përurimit të veprës, që tashmë mund të shihet edhe nga publiku.

Presidenti aktual i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, iu drejtua të ardhurve, duke folur për trashëgiminë që la holandezi në klubin katalan.

“Kjo statujë do të jetë një kujtesë e përhershme e Johan Cruyff dhe asaj që ai përfaqëson. Johan Cruyff është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë, thelbit dhe ndjenjës sonë”, deklaroi Bartomeu.

Të pranishëm në zbulimin e statujës ishin gruaja e Cruyff, Danny, djali Jordi dhe vajza Susila.

Një numër i konsiderueshëm i ish-lojtarëve të legjendës holandeze ishin gjithashtu pjesëmarrës, duke përfshirë Carles Puyol, Sergi Barjuan dhe Albert Ferrer.

Barcelona i ka vënë emrin Johan Cruyff stadiumit të ri të skuadrës B.

Më i miri holandez në historinë e futbollit luajti gjatë pesë sezoneve për klubin e Barcelonës mes viteve  1973 dhe 1978, para se të kthehej te “blaugranat” në rolin e trajnerit mes viteve 1988 dhe 1996.

Statuja prej bronzi është e lartë 3.5 metra dhe u krijua për katër muaj nga skulptori holandez, Corry Ammerlaan van Niekerk.

Ajo e paraqet Cruyffin me shiritin e kapitenit dhe fanellën me numrin 9 në shpinë, duke dhënë udhëzime me një krah të shtrirë.

Image

Comments