FOTO/ Holandë, maska e vdekjes së Gjergj Fishtës spikat në ekspozitën e Dinastisë Marubi
Imazhi i maskës së vdekjes së at Gjergj Fishtës fotografuar nga Gegë Marubi është prezantuar në Amsterdam të Holandës, në ekspozitën “Dinastia Marubi – 100 vite të studios fotografike shqiptare.”
Fishta u nda nga jeta më 30 nëntor 1940 dhe maska e vdekjes së tij u realizua nga at Justin Rrota. Ka qënë Gegë Marubi që e ka fotografuar atë në disa projeksione.
Në Amsterdam, ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro ka qenë e pranishme në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “Dinastia Marubi” së bashku me drejtoreshën e FOAM znj. Marloes Krijnen, ambasadorë dhe personalitete të tjera të njohura.
Ekspozita me fotot e Marubit u prit me kureshtje dhe interes të veçantë nga publiku holandez, ndërsa Kumbaro prezantoi një copëz të historisë 100 vjeçare të kësaj dinastie.
“Niseshin nga gjithë Shqipëria në Shkodër, në skajin verior të vendit, veç për atë fotografi, mbi kolltukun e pashmangshëm ku uleshin pa fund, personazhet e fillim-shekullit XX, gjithë shoqëria shqiptare kalonte në atë sfilatë, me po atë sfond floreal që imitonte kopështin, dhe krahun e zonjave mbështetur.
Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip”, tha Kumbaro.