FOTO/ Meta në Athinë, takohet me Kotzias për çështjen çame

240

FOTO/ Meta në Athinë, takohet me Kotzias për çështjen çame

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ndodhet në Greqi ku po zhvillon një vizitë zyrtare. Kryeparlamentari është pritur nga ministri i Jashtëm i Greqisë Kotzias, të cilët diskutuan për çështjen çame.

Sa i përket kësaj teme, Meta theksoi se problemet e së kaluarës nuk do të jenë më pengesë në ardhmen për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Me frymën konstruktive të zgjidhim të gjitha problemet e së kaluarës. Nuk ka asgjë që nuk mund ta diskutojmë si fqinjë të mirë”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

Meta iu përgjigj indirekt deklaratave të mëparshme të ministrit Kotzias për PDIU-në, duke theksuar se në Shqipëri nuk ka asnjë parti politike që të ketë axhendë nacionaliste.

Pyetje nga gazetarët:

Z. Meta, çfarë keni diskutuar në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Kotzias?

Kemi diskutuar lidhur me avancimin e axhendës së përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin bilateral, i cili është mjaft i rëndësishëm për të çuar përpara edhe interesat strategjike të përbashkëta të dy vendeve, jo vetëm si dy vende fqinje, por edhe si dy vende anëtare të NATO-s. Si dy vende që kanë një përgjegjësi të jashtëzakonshme për paqen , stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë. Aq më tepër tani kur sfidat janë shtuar për rajonin tonë edhe për shkak të problemeve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Mesdheut.

Në këtë drejtim, besoj se është e qartë vullneti i dy vendeve, i qeverive, por edhe i dy parlamenteve për të dominuar në axhendën tonë fryma pozitive e bashkëpunimit të hapur, konstruktiv, i sinqertë dhe afatgjatë. Po kështu jam shumë dakord me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, z. Kotzias që e kaluara duhet të na shërbejë si një mësim për të ardhmen për të mos përsëritur gabimet që kemi bërë në të kaluarën dhe jo të shërbejë si një burg për të ardhmen.

Dhe në këtë drejtim, unë dua të vlerësoj dhe dialogun dhe përpjekjet që bëhen edhe midis dy qeverive për t’i diskutuar në një mënyrë konstruktive problemet e trashëguara nga e kaluara, në mënyrë që diskutimi dhe zgjidhja me racionalitet dhe durim e tyre t’i shërbejë akoma më shumë përshpejtimit të axhendës së përbashkët midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila do t’i sigurojë të dy vendeve një të ardhme shumë më të mirë të përbashkët, por njëkohësisht edhe rajonale.

Z. Kotzias ka thënë se nuk ekziston çështja “Çame”. I ka shkruar edhe një letër Komisionerit Hahn. Kush është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Lidhur me çështjet e së kaluarës unë besoj se të gjithë jemi dakord që ato nuk duhet të shërbejnë si një pengesë për bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve. Unë besoj se ne jemi në një proces shumë pozitiv të përafrimit të qëndrimeve për shumë çështje të ndryshme të trashëguara nga e kaluara, ku do të doja të veçoja sidomos çështjen e rishikimit të historisë dhe të teksteve të historisë. Sepse kjo ka të bëjë me edukimin me një frymë tjetër të fëmijëve tanë dhe të rinjve tanë për të ardhmen, jo për të ndryshuar historinë që ka ndodhur, por për të nxjerrë mësime nga ajo që të mos përsëritet më.

Në këtë kuadër unë besoj se për çështjen “Çame” që ju pyetët, ekzistojnë ende dy qasje të ndryshme le të themi, por unë besoj se me durim dhe mënyrë konstruktive, ne kemi mundësi të ecim për gjithë problemet e së kaluarës drejt një zgjidhjeje ku përfitojnë të dy vendet tona dhe të dy popujt tanë.

Por ajo që dua të nënvizoj edhe njëherë është se qëllimi i vizitës sonë është të nxisim akoma më tej frymën pozitive të bashkëpunimit midis dy vendeve tona në mënyrë që të mos humbasim aspak kohë për t’u përballur me sfidat me të cilat ndeshen të dy vendet tona, vendet e rajonit tonë, dhe që janë vendimtare për mirëqenien e qytetarëve tanë.

Duke ditur qëndrimin konstant të Greqisë përsa i përket çështjeve të kaluara, siç është ajo e Çamërisë dhe e pronave të shqiptarëve këtu, por edhe çështjeve të mbartura siç është ajo kufirit detar, a u diskutua në një frymë të re midis palëve?

Unë besoj se është koha për të gjithë faktorët politik si në Greqi, si në Shqipëri, për t’u përqendruar më shumë tek e ardhmja e përbashkët dhe për t’i diskutuar në mënyrë të qetë, racionale, konstruktive të gjitha çështjet që trashëgojmë nga e kaluara, çështje për të cilat nuk jemi ne përgjegjës. Por ne jemi përgjegjës për të ardhmen e dy vendeve tona, dhe në këtë drejtim unë besoj në përgjegjshmërinë dhe vullnetin pozitiv të gjithë faktorëve për t’i parë me këtë këndvështrim edhe çështjet që trashëgojmë nga e kaluara.

1 / 7

 

Lexo edhe

Comments