FOTO/Shikoni si po “rilind” varri i Faik Konicës në Tiranë, i shkatërruar, pa emër
Të paktën që prej muajit shtator të viti 2013, mediet kanë konstatuar që varri i një prej mendimtarëve më të shquar të kombit tonë, Faik Konicës, është dhunuar. Janë vjedhur pllakat e mermerit, i është fshirë emir te busti, i cili nuk është pastruar asnjëherë që prej 11 vitesh kur është vendosur aty. Por edhe ambient përreth këtij varri është lënë në mëshirë të fatit, shkurre, baltë kur bie shi dhe pemë që harlisen duke ja mbuluar komplet pamjen.
“Syri. Net”, po ju sjell disa foto të bëra sot nga shkrimtari Lazër Stani te varri i Konicës që gjendet te parku i Liqenit. Ndërkohë që Edi Rama ka shpallur prej tre vitesh “Rilindjen Urbane”, duke eksperimentuar sipas ideve të tij të çartura artistike me qendrat e qyteteve, Konica i madh aty në atë varr të përçudnuar është e sigurt, që qesh me cinizmin e tij të famshëm.
“Në këto foto është varri i Faik Konicës, i braktisur, i fshehur mes drurëve, i harruar diku në periferi të Tiranës, në atë që quhet parku i madh i qytetit. Dhe me pllakat e varrit të shkulura, të thyera. Konicës, mendjes më gjeniale të shqiptarëve në shekullin e shkuar, për pesëdhjetë vjet ia mohuan dy metra tokë për varr në atdheun e tij, duke ia lënë amanetin e tij të paplotësuar. Dhe kur amaneti iu përmbush, barbarët ia dhunuan varrin. Nuk e di se çfarë të ardhmeje mund të ketë një komb që nuk nderon njerëzit e tij të shquar, por nderon barbarët, kriminelët, banditët, sharlatanët, plaçkitësit dhe rrënuesit e tij?! Apo ndoshta ne nuk e duam Konicën, sepse ai, si askush tjetër ndër shqiptarë, na e shqiptoi të vërtetën tonë të hidhur, prej si cilës kemi frikë si prej mortjes”, komenton me dëshpërim Lazër Stani, situatën në vendin ku prehet Konica.
Eshtrat e Faik Konicës kanë ardhur që në vitin 1995 në Shqipëri dhe u varrosën te Kodrat e Liqenit. Ndërkohë që në varrezat ku prehet edhe Fan Noli në Boston, disa hapa larg, edhe sot gjendet varri bosh i Konicës me pllakën ku është shkruar emri i tij. Ky varr mirëmbahet dhe vizitohet rregullisht nga shqiptarët e Amerikës.
Studiuesi Nasho Jorgaqi, ka deklaruar disa herë se. “Nuk nuk kanë dashur që shqiptarët që jetojnë në Amerikë ta heqin fare, por që të kishte një përkujtimore, që kush shkon për Fan Nolin të vendosin edhe një lule edhe te vend-varrimin i Konicës. Kur bëhet kjo vizitë te Fan Noli, të kujtohet edhe Faik Konica. Në fakt, shteti duhet të shqetësohet për atë që ka ndodhur këtu në Tiranë: vjedhjen e pllakës së mermerit dhe prishjen e bustit. Nuk është se kjo ndodh për herë të parë: ka ndodhur në Shkodër te varri i Vaso Pashës, e Luigj Gurakuqit. Jo vetëm që janë dëmtuar këto objekte, por pranë tyre kanë hedhur edhe plehra. Mendoj se ky problem duhet të ngrihet si shumë shqetësues”.
Sikur ta dinte se si do ti “rilindte” varri në Shqipëri, Konica në muajin shkurt të vitit 1925, u drejtohej kështu shqipëtarëve në qytezën Xhejmstaun të Nju Jorkut: “Me një popull fare skllav në zakonet e vjetra dhe pa ndonjë shpirt për reforma, me një popull fare të paditur dhe të pazotin që të bëjë gjykime politike dhe sociale që të mos gënjehet prej bandave, kam frikë se kryengritjet në Shqipëri do të vazhdojnë për shumë kohë pa ndonjë fitim moral, në mos qofshim të zotrit që t’i ndalojmë dhe të ftojmë gjakrat e politikanëve tanë”./Syri.net