Rreth 70 mijë persona do të evakuohen nga policia gjermane nga shtëpitë e tyre ditën e diel. Kjo vjen si pasojë e zbulimit në Frankfurt, të një bombe të pashpërthyer e Luftës së Dytë Botërore.
BBC shkruan se ky pritet të jetë një nga operacionet më të mëdha të këtij lloji, kryer ndonjëherë në Gjermani pas luftës. Bomba britanike me peshë 1.4 tonë, e mbiquajtur “blockbuster” gjatë luftës për shkak të kapaciteteve për të fshirë nga faqja e dheut rrugë të tëra, u gjet pranë Universitetit “Goethe” të Frankfurtit.
Gjithashtu do të evakuohen edhe universiteti, Banka Qendrore dhe spitalet aty pranë. Policia gjermane ka njoftuar se bomba ishte e llojit “HC 4000”, e përdorur gjatë sulmeve ajrore të forcave britanike.
“Ajo u zbulua në rrugën “Wismarer”, shumë pranë qendrës së qytetit dhe rreth 2.5 km në veri të zonën kryesore tregtare të Frankfurtit”, shton policia.
Oficerë të shumtë janë duke ruajtur vendin, ndërsa thonë se për momentin “nuk ekziston asnjë rrezik”.
Ndërkohë ekspertë të çmontimit të bombave, që ekzaminuan atë, thanë se evakuimi masiv mund të presë deri në fundjavë. “Jemi ende duke punuar mbi modalitetet e planit të evakuimit”, tha një zëdhënëse e policisë së Frankfurtit.
Më shumë se 20 mijë banorë u evakuuan në qytetin perëndimor të Koblenzit, të shtunën, pas zbulimit të një tjetër bombe të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsagjatë majit, rreth 50 mijë banorë në Hannover u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, teksa ekspertët çmontuan 3 bomba britanike.