Fshati Rashçe përmbytet, banorët kërkojnë zgjidhje për Vardarin

58

Pas reshjeve të dendura, niveli i lumit Vardar është rritur ndjeshëm duke shkaktuar përmbytje në fshatin Rashçe të komunës së Sarajit. Banorët thonë se nuk mund t’i shfrytëzojnë tokat bujqësore për shkak të daljes së lumit nga shtrati. Kërkojnë ndërhyrje nga shtetërore për rregullimin e shtratit dhe sistemit të kanalizimit. Nga Komuna e Sarajit paralajmërojnë projekte për përmirësimin e gjendjes.

“Pas shirave të rrëmbyeshëm të ditëve të fundit është rritur niveli i ujit të lumit Vardar ndërsa ata të cilët e kanë pësuar më së shumti janë banorët e fshatit Rashçe dhe pikërisht në këtë vend këtu, nuk mund të dallohet se cila është rrjedha e lumit Vardar dhe se cila është pjesa e tokave të përmbytura të bujqve”, raporton Avni Tahiri, gazetar.

Banorët e fshati Rashçe, thonë se mbi dhjetë vite më nuk mund të shfrytëzojnë tokat e tyre për shkak të vërshimeve që ndodhin si pasojë e daljes së Vardarit nga shtrati. Kërkojnë nga institucionet që në të ardhmen të rregullojnë shtratin e lumit që të mund të rikthejnë tokat e tyre.

“Këtu gjendja është katastrofë nga uji, nuk e kanë rregulluar shtratin e lumit Vardar dhe i gjithë uji neper ara ka përfunduar. Ka shkaktuar shumë dëme”, u shpreh një banor i Rashçes.

“Për çdo vit vërshimet ndodhin si shkak i rrjedhës së lumit Vardar që nuk rregullohet. Realisht duhet të ndërmerret nga ana e Qytetit të Shkupit dhe Qeveria sepse komuna jonë nuk ka kapacitet financiar. Tokat tona janë gati të pa shfrytëzuara për shkak të vërshimeve që ndodhin ndërsa më herët, banoret kanë shfrytëzuar tokat për mbijetesë dhe për kafshatën e bukës ku janë prodhuar misër dhe fasule po tani mbi dhjetë vite që tokat nuk shfrytëzohen”, tha një tjetër banor.

“Ne problem kemi me lumin Vardar sepse tani nuk e pengon askush rrjedhën e tij dhe po ashtu problem më kryesor e kemi me kanalizimin, ja këtu afër është ajo pjesë që grumbullohen edhe nga fshatrat Kopanicë edhe fshati Rashçe, dhe nuk e banë vija dhe arat përreth janë të gjitha në ujë, jo që nuk mund të punosh por as që mund të hysh në arë”, deklaroi një banor i fshatit Rashçe.

Përveç dëmeve materiale në tokat bujqësore të banorëve të fshatit Rashçe, edhe një pjesë e rrugës ishte e pa kalueshme. Ekipet e ujësjellësit dhe kanalizimit me kërkesë të komunës së Sarajit, i takuam duke intervenuar në pastrim.

Nga komuna e Sarajit thonë se gjatë ditëve në vijim intervenohet në pjesën e kanalizimit atmosferik si shkak i gypave të zënë nga përmbytjet ndërsa në të ardhmen pritet që të intervenohet edhe në disa projekte tjera për përmirësimin e jetës së banorëve të fshatit Rashçe. /Alsat.mk

Comments