Financial Times i ka dedikuar një artikull kryetarit komunal më të ri në Kosovë, Qendron Kastratit të PSD-së, i cili udhëheq qytetin e Kamenicës.
Kastrati, i cili ka emëruar një serb nënkryetar të tij, ua ka mundësuar përkthimin në gjuhen e tyre serbëve dhe ka të punësuar në kabinetin e tij mbi 50 për qind gra, ka folur për bashkëjetesën ndëretnike dhe për udhëheqjen e një komune, bashkë me përfaqësues të komunitetit serb
Kastrati nuk flet gjuhen serbe por ai përshëndet një pjesë të stafit të tij në serbisht, pasi vijnë nga komuniteti serb që jeton në Kamenicë.
Kastrati thotë se ai ka bërë diçka të pazakontë në këtë shtet të vogël të Ballkanit, shkruan FT.
Ai ka emëruar nënkryetar të komunës një serb që të komunikojë jo vetëm me të punësuarit, por edhe me 5 për qind të qytetarëve të Kamenicës që i takojnë atij komuniteti.
Qendron Kastrati, i cili është vetëm 30 vjeç, u bë kryetari më i ri, i cili ka dhënë një premtim për qeverisjen e tij: ta bëjë një qytet të vogël, ideal për bashkëjetesë ndëretnike.
“Kamenica duhet të jetë model i mirë për bashkëjetesën në Kosovë”, ka thënë Kastrati për FT në një nga kafenetë afër komunës.
“Secili është qytetar i kësaj komune dhe duhet të trajtohet si i tillë”, ka shtuar ai.
Në artikullin e publikuar nga FT përmenden edhe disa veçori të tjera që Kastrati i ka sjellë në komunën e Mitrovicës. Ai ka mundësuar përkthimin gjatë mbledhjeve të kuvendit komunal, dhe kabineti i tij, si rrallëherë në Kosovë, ka më shumë gra se sa meshkuj.
Kastrati për FT ka rrëfyer historinë e vrasjes së babait të tij nga regjimi serb, ndërsa ka thënë se i ati asnjëherë nuk e ka parë problemet politike mbi baza etnike, transmeton Gazeta Express.
“Babai im nuk ka pasur probleme me serbët. Ai ka qenë kundër regjimit dhe e ka dashur lirinë”, ka thënë numri një i Kamenicës.