Fushata zgjedhore hap sërish faqe të shumta propaganduese

449
fresco

Fushata zgjedhore, në shumë vende të botës, përfshirë Kosovën, është periudha më e ndjeshme kur përdoruesit e rrjeteve sociale ballafaqohen me paraqitjen e qindra mediumeve jo të besueshme.

Për qytetarët, qarkullimi i lajmeve me tematikë politike nëpër këto media të dyshimta, nxit mendime të ndryshme, derisa besimi në lajmet që ata lexojnë përditë në to, është i vogël, raporton KTV.

Me hapjen e fushatës zgjedhore, sipas juristes Flutura Kusari, fillon edhe lansimi i mediumeve të ndryshme online, të cilat për bazë kanë edhe keqinformimin e publikut lidhur më çështjet politike. Sipas saj, këto mediume cak kryesor kanë ndikimin në votën e qytetarëve.

Tutje ajo shton se edhe rrjetet sociale të përdorura nga vetë politikanët mund të ndikojnë drejt për së drejti te qytetarët.

Në anën tjetër, edhe Dren Gërguri nga instituti EduMedia fajin kryesor për keqinformimin e qytetarëve lidhur me këto çështje, ua vë mediumeve që përdorin manipulime elektronike, për të ndikuar në opinion.

Gërguri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thekson se për të evituar keqinformimin ndaj qytetarëve, prania e edukimit medial në arsimin fillor, është domosdo.

Comments