Gafa e UEFA-s ndez rrjetin: Ndeshja Andorra-Shqipëri u shfaq katër orë para kohe!
Një situatë e pazakontë ka ndodhur pak orë para ndeshjes Andorra-Shqipëri, e cila zhvillohet sot në orën 20:45.
Në faqen zyrtare të UEFA-s, ndeshja u shfaq si e nisur katër orë përpara orarit zyrtar, duke ngjallur habi te tifozët dhe ndjekësit online.
Sipas Top Channel, ajo që e bëri situatën edhe më kurioze ishte fakti se në seksionin e ndeshjes u publikuan tre ndërhyrje të VAR-it, sikur takimi të ishte në zhvillim. Në dy prej tyre, sipas postimeve të UEFA-s, VAR-i kishte anuluar gola, duke krijuar përshtypjen se ndeshja po luhej në kohë reale.
Natyrisht, bëhet fjalë për një gabim teknik të faqes së UEFA-s, ku mësohet se editorët po testonin sistemin e postimeve për situatat e ndeshjeve, dhe ato u publikuan aksidentalisht edhe për publikun.
Ndërkohë, sfida mes Andorrës dhe Shqipërisë pritet të nisë në orarin e parashikuar, në 20:45, dhe është pjesë e kualifikueseve për Kampionatin Botëror 2026.
Një “gafë” që bëri xhiron e rrjeteve, por që ndoshta i solli pak buzëqeshje tifozëve para duelit të vërtetë në fushë, transmeton Klankosova.tv.

