Galata fiton Super Kupën e Turqisë përmes penaltive, shkëlqen portieri Muslera
Galatasaraji ia ka dalë të triumfojë në SuperKupën e Turqisë duke mundur kampionët e Beshiktashit, edhe atë vetëm pas ekzekutimit të penaltive. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin e fillimit 0:0, ndërsa në vazhdimet dy herë nga 15 minuta të dyja skuadrat shënuan nga një gol.
Ishin futbollistët e Galatsarajit ata të cilët fillimisht shënuan në rrjetën e Beshiktashit me anë të Hhakan Balta në minutën e 100-të, ndërsa një autogol i shënuar nga Chedjou 7 minuta më pas, bëri që ndeshja të vendoset vetëm pas ekzekutimit të penaltive.
Këtu shkëlqeu portieri i Galatasarajit, Fernando Muslera, i cili nuk pranoi asnjë gol. Galatasaraji fitoi me rezultatin e pastërt 3:0, duke iu falënderuar golave të shënuar nga Inan, Balta dhe Cigerci, ndërkohë në anën tjetër futbollistët e Beshiktashit dështuan në tërësi duke mos arritur në asnjë rast të shënojnë në rrjetën e Musleras. Portieri uruguaian ndali goditjet e Ozjakup dhe Hatçinson, ndërkohë goditja e Tosun përfundoi lartë mbi portë.
Ishte ky trofeu i katërt për Galatasarajin në 5 vitet e fundit në kuadër të Super Kupës së Turqisë.