Gardianët rrahin të miturit në burg

Koaliconi për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, po alarmon se të drejtat e fëmijëve në Qendrën Korrektuese të Lipjanit, janë duke u shkelur në vazhdimësi.
Stërzgjatja e paraburgimit, praktika e shqiptimit të masave, përdorimi i dhunës nga stafi korrektues, mungesa e stafit professional, janë vetëm disa prej parregullsive, që KOMF, ka evidentuar në burgun e Lipjanit, shkruan Gazeta Fjala.
Më poshtë gjeni pikat që KOMF, ka evidentuar si shkelje:
– Stërzgjatja e paraburgimit si praktikë e dëmshme për të miturit dhe në kundërshtim me Kodin e Drejtësisë për të Mitur;
– Praktika e shqiptimit të masave mbi masë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi ;
– Përdorimi i dhunës si mjet disiplinimi nga stafi korrektues në QKL, e cila është shkelje flagrante e të drejtave të miturve dhe e sanksionuar me legjislacionin penal në fuqi;
– Mbajtja e të miturve me masë edukative në institucion të tipit të mbyllur gjë që përbën shkelje të të drejtave themelore të të miturve dhe në kundërshtim me Kodin për Drejtësi për të Mitur;
– Mungesa e programeve individuale gjë që cenon rehabilitimin dhe re integrimin e të miturve;
– Vështirësi të shumta në mbarëvajtjen e sistemit arsimor;
– Mungesë totale e edukatorëve dhe e programeve edukative;
– Qëndrimi i të miturave femra në të njëjtin pavion me femrat e rritura, i cili jo vetëm që rrezikon rehabilitimin e të miturave por mund të çoj edhe në regres e
përkeqësim të gjendjes së tyre, pasi qëndrimi në një pavion me femrat e rritura është tërësisht jashtë kontekstit të zhvillimit fizik, konjitiv dhe psikologjik të të miturave;
– Mosbesimi i të miturve në sistemin e ankesave;
– Mungesa e stafit profesional të mjaftueshëm për të punuar me të miturit.
Duke konsideruar rrethanat në të cilat ekzekutohen masat edukative në QKL, ky institucion nuk i përmbush parakushtet për arritjen e qëllimit për të cilin është krijuar, përkatësisht rehabilitimin dhe re integrimin e të miturve me masa dhe dënime, për më tepër shkel të drejtat themelore të të miturve. Duke qenë se qendra e re korrektuese është në prag të funksionalizimit, një varg defektesh të sistemit aktual mund të eliminohen. Problematikat e identifikuara nga monitorimi, janë analizuar nga grupi punues dhe janë shoqëruar me rekomandime konkrete në përputhshmëri me interesin më të mirë të të miturve, standartet ndërkombëtare dhe kontekstin e Kosovës, të cilat synojnë përmirësimin e ekzekutimit të masave edukative dhe dënimeve për të mitur për të përmbushur qëllimin e dhënies së tyre. /Gazeta Fjala/