Garë treshe për titullin, e konfirmojnë 10 javët e para!

Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi, janë aty, me statusin e kandidatëve për titull, pavarësisht se dikush pretendimet i thotë me zë të lartë dhe dikush jo. Pas 10 javëve të para, edhe pse mund të jetë herët, janë pikërisht këto tre skuadrat e profilizuara në luftën për trofeun më të rëndësishëm në futbollin shqiptar. Merita për të treja skuadrat, por sidomos për Skënderbeun, dhe jo thjesht për faktin se janë në kryesim të klasifikimit. Në letër ky duhej të ishte viti i hapjes së krahut, të paktën këtë kanë shpresuar rivalët. Ndryshime në emra dhe paksa dhe në stil, por logoja përsipër, ajo e një skuadre fitimtare nuk ndryshon këtë herë me një Orges Shehi në drejtim, një skuadër me vetëdijen për tu futur Superiore në çdo duel, e që madje e ka më të thjeshtë të fitojë me rivalët e drejtpërdrejtë se sa me kundërshtarë teorikisht më të thjeshtë për tu kaluar. Aftësia për të mos u ndikuar psikologjikisht nga efektet jashtë fushe, deri më tani është për notën 10, edhe pse duhet pranuar se vendimi i KAS, luan një rol të rëndësishëm në shanset për të mbrojtur titullin kampion.
Vetëm me një pikë më pak ndjek Partizani. Nëse në fillim të sezonit do tu kishin ofruar këtë renditje pas 10 ndeshjesh, të gjithë, tifozë apo drejtues do ta kishin pranuar pa hezitim, pavarësisht humorit të keq të krijuar nga dy humbjet me korcarët. Partizani është ndoshta skuadra që ka marrë maksimumin e mundshëm nga organika në dispozicion. Pa një bomber klasik që të garantojë shifra të rëndësihme, Partizani i Gegës ka bindur me lojën e grupit, ka lançuar e konfirmuar talente të rinj, dhe mbi të gjitha ka marrë rezuiltate të rëndësishme. Jo rastësisht këtë sezon, bindja se ky mund të jetë viti i duhur është prezente e fortë si rrallëherë.
Te Kukësi, pretendimet për titull i shprehin me plot gojën, politikë e klubit apo pasyqrim i ambicieve të Presidentit Gjici, është skuadra që ka investuar ndoshta më shumë në merkato. Kukësi është një rival i fortë, ka opsione loje, elementë cilësorë dhe në 8 javët e fundit ka fituar 6 ndeshje. Për ata që mendojnë humbjet me Partizanin dhe Skënderbeun vlen të kujtohet shprehja se kampionati është një shumatore pikësh dhe si i tillë fitohet pikërisht me të voglat, pa harruar se është luajtur vetëm faza e parë dhe me rivalët do të ndeshet edhe nga 3 herë të tjera. Plot 25 javë për tu luajtur, me në mes janarin, edhe pse merkato e dimrit rrallëherë për të mos thënë asnjëherë këto vitet e fundit ka ndryshuar hierarkitë. Në mes madje mund të futet edhe ndonjë skuadër tjetër, Laçi, Teuta, Flamurtari apo Tirana, është e kotë të spekulosh, për momentin autostrada për titullin me tre korsi është spektakolare, sidomos nëse mbetet e tillë deri në fund.