Gjashtë autobusët ekologjikë iu dorëzuan autoriteteve lokale në Shkup, donacion nga BE-ja‼

285

Donacioni nga BE-ja prej gjashtë autobusëve ekologjikë ka mbërritur në garazhet dhe drejtorinë e NTP Shkup në Autokomanda. Promovimi i autobusëve u bë në prani të drejtorit të NTP-së, kryetares së qytetit të Shkupit, ministrit të Mjedisit jetësor, si dhe Delegacionit të BE-së në vend, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve, autobusët kishin mbërritur më herët në vend, por ndodheshin në magazinat e Doganës.

Çdo autobus ka kapacitet prej 98 pasagjerësh (69 në këmbë + 29 ulëse), duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara, gjë që përmirëson më tej qasjen e tyre në shërbimet bazë dhe ofron mundësi për transport publik të aksesueshëm dhe lëvizje të sigurt urbane.

“Ky aktivitet që po zhvillojmë sot është një projekt me vlerë 10 milionë euro që do të kontribuojë në uljen e ajrit të ndotur, sepse është një problem mjedisor që e ndjejmë menjëherë pas fillimit të sezonit të ngrohjes”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihail Rokas, gjatë dorëzimit të gjashtë autobusëve ekologjikë.

Projekti, siç shtoi ai, përfshin qytetet e Manastirit, Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës, përkatësisht ato që përballen me ndotje të shtuar të ajrit.

“Transporti është arsyeja e sasisë së madhe të emetimeve të dioksidit të karbonit që ne lëshojmë në atmosferë. Në këtë mënyrë u mundësojmë qytetarëve që në vend të automjeteve individuale të përdorin transportin publik. Duhet ta bëjmë transportin publik që sa më pak të ndotë”, theksoi Rokas.

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, tha se donacioni nga Bashkimi Evropian është sukses për qytetin e Shkupit, duke shprehur shpresën se ky aktivitet do t’i motivojë këshilltarët e qytetit të Shkupit që të votojnë për blerjen e 250 autobusëve të tjerë ekologjikë.

“Ky është vërtet një sukses i madh i Qytetit të Shkupit dhe dëshmi se kur administrata jonë e qytetit nuk është e bllokuar, është në gjendje të zbatojë diçka nga e cila përfiton Qyteti i Shkupit dhe mbarë vendi. Shpresoj se sot me këtë projekt do t’i motivojmë të gjithë palët e interesuara dhe ata këshilltarë të Qytetit të Shkupit që duhet të votojnë edhe për 250 autobusë të tillë ekologjikë”, tha Arsovska.

Ministri i Mjedisit Izet Mexhiti nga ana tjetër tha se përkundër masave ekzistuese të qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, ministria e tij dhe qeveria janë duke ndërmarrë hapa të tjerë shtesë për t’u marrë me problemin e kahershëm të qytetarëve të Shkupit.

“Sot është një ditë e veçantë, sepse me ndihmën e BE-së kryeqyteti ynë po merr 6 autobusë të rinj. Me pasurimin e flotës së NTP-së, po përmirësojmë kushtet për shfrytëzimin e transportit publik. Pavarësisht masave të qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, ne kemi ndërmarrë hapa shtesë. Do të marrim 100-120 autobusë elektrikë për nevojat e komunave dhe qytetit të Shkupit. Ajri nuk njeh kufij dhe duhet të veprojmë të gjithë së bashku”, tha Mexhiti.

Donacion nga BE-ja bëhet përmes projektit “BE për ajër të pastër”. Siç informuan organizatorët e ngjarjes, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS), këta autobusë janë një hap i rëndësishëm në rrugën e qytetit të Shkupit drejt reduktimit të emetimeve, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe promovimit të lëvizshmërisë së qëndrueshme urbane.

Donacioni vjen pasi autobusët e NTP-së kanë ndërprerë qarkullimin për shkak të mungesës së naftës, pas së cilës Qeveria ka vendosur që qytetit të Shkupit t’i huazojë naftë nga rezervat shtetërore të naftës. Të nesërmen e këtij vendimi, banorët e Shuto Orizarit, të udhëhequr nga kryetari i tyre Kurto Dudush, kanë protestuar para qytetit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryetares, pasi në këtë komunë ka më shumë se 730 ditë që nuk ka transport.

Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi me 20 nëntor pasi, për shkak të mungesës së naftës, shumica e autobusëve të NTP-së mbetën të parkuar në bazat e tyre. Janë vënë në qarkullim 25 autobusë me gaz natyror dhe disa të tjerë që kanë rezervë nafte.

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi nga Beogradi mundësinë e blerjes së autobusëve të rinj elektrikë për tejkalimin e këtij problemi të vazhdueshëm.

Prej se Arsovska është kryetare, transporti publik në Shkup është kolaps dhe nuk funksionon. Nuk ka autobusë të rregullt, duhet të presësh një orë në stacione, dhe kur vjen autobusi është plot me pasagjerë.

Danela Arsovska u bë kryetare e Shkupit si kandidate e VMRO-DPMNE-së me premtimin për transport falas për të gjithë qytetarët dhe blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë.

Comments