Ministria e Shëndetësisë informon opinionin publik për rekomandimet dhe masat e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik (IShP) në lidhje me situatën aktuale të mbeturinave në Shkup.
Rekomandime për qytetarët:
Të ruhet higjiena personale (përdorimi i dorezave, maskave, larja e duarve dhe përdorimi i dezinfektuesit për duar pas hedhjes së mbeturinave);
Hedhja e mbeturinave të bëhet në mënyrë të ndërgjegjshme (në kontejnerë, mbeturinat e mëdha në mënyrë të përshtatshme dhe jo brenda kontejnerëve, etj.);
Kujdes gjatë trajtimit, ndarjes, grumbullimit dhe hedhjes së mbeturinave;
Të mbyllen kapakët e kontejnerëve pas hedhjes së mbeturinave;
– Të shmanget kontakti fizik i pambrojtur me mbeturinat;
Të shmanget uji i ndenjur dhe lëngu që del nga mbeturinat;
Kujdes gjatë shëtitjes me kafshët shtëpiake, për të mos i lejuar të vijnë në kontakt me mbeturinat apo me lëngun që del prej tyre;
Të mos hidhen mbeturina jashtë vendeve të shënuara për grumbullim;
Të mos hidhen mbeturina në deponi të paligjshme;
Të sigurohet mbrojtja dhe ulja e ekspozimit të dëmshëm për të gjithë punonjësit që janë në kontakt me mbeturinat (me pajisje për mbrojtje personale).
MASA
Të menjëhershme, urgjente dhe afatshkurtra
Heqje urgjente dhe të menjëhershme të mbeturinave të grumbulluara dhe të shpërndara brenda dhe jashtë kontejnerëve, duke përdorur të gjitha burimet teknike, njerëzore dhe financiare të disponueshme;
Mobilizim i menjëhershëm për grumbullimin dhe heqjen e grumbujve të mbeturinave në zonat më të ekspozuara; prioritet të kenë spitalet, shtëpitë e të moshuarve, shkollat fillore dhe të mesme, parqet dhe terrenet e lojërave për fëmijë;
Larje, deratizim, dezinfektim dhe dezinsektim urgjent dhe i jashtëzakonshëm i vendeve ku ka mbeturina të shpërndara dhe i kontejnerëve;
Në rastet kur kjo nuk është e mundur, të vendosen barriera të përkohshme fizike (rrjeta) për të penguar qasjen e brejtësve dhe kafshëve endacake;
Zhvendosje e kontejnerëve – më larg shtigjeve të shpeshta të lëvizjes së njerëzve, sidomos larg terreneve të lojërave për fëmijë, shkollave, çerdheve dhe institucioneve shëndetësore;
Transport dhe zbrazje e rregullt e kontejnerëve (minimumi një herë në ditë në pjesët më të dendura të qytetit);
Mbyllje e detyrueshme e kapakëve të kontejnerëve;
Blerje urgjente e pajisjeve të nevojshme, veçanërisht e numrit të mjaftueshëm të kontejnerëve dhe mjeteve të mekanizuara për pastrim të vazhdueshëm;
Mbrojtje dhe ulje e ekspozimit të dëmshëm për të gjithë punonjësit që janë në kontakt me mbeturinat (pajisje për mbrojtje personale), përfshirë edhe vaksinimin e detyrueshëm; trajnime për trajtim të sigurt të mbeturinave dhe raportim të lëndimeve;
Mbikëqyrje intensive e sëmundjeve infektive: raportim i shtuar me hetim epidemiologjik (me fokus në diarretë, rastet e leptospirozës, pacientët e hospitalizuar me zoonoza dhe sëmundje të ngjashme);
Edukim i popullatës për rreziqet shëndetësore që lidhen me këtë problem dhe për njohjen e simptomave të mundshme;
Komunikim publik me paralajmërime dhe këshilla praktike për qytetarët (për higjienën personale dhe kolektive, ruajtjen e ushqimit, shmangien e ujit të ndenjur, shmangien e kontaktit fizik me mbeturinat ose me lëngjet e tyre, si dhe mënyrën e raportimit të deponive të paligjshme).
Masa afatgjata
Zhvillimi i një sistemi të integruar për menaxhimin e mbeturinave komunale (heqje e rregullt, furnizim i përkohshëm dhe i mjaftueshëm me pajisje, kontejnerë dhe mekanizëm pastrimi);
Zbatimi i sistemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta përmes reduktimit, ripërdorimit, riciklimit dhe rigjenerimit;
Edukim i vazhdueshëm i popullatës për ndarjen primare të mbeturinave, së paku në organike dhe joorganike, dhe hedhjen e ndërgjegjshme të tyre (në kontejnerë, mbeturinat e mëdha në mënyrë të përshtatshme e jo brenda kontejnerëve, etj.);
Zhvillimi i programeve edukative për qytetarët dhe përfshirja e bashkësive lokale në zgjidhjen e problemit (për shembull, përmes mekanizmave shpërblyes për ndarjen apo shitjen e mbeturinave për riciklim);
Zbatimi i politikave kontrolluese dhe rregullatore – ndëshkime për hedhjen e pandërgjegjshme të mbeturinave, inspektime të shpeshta lokale, si dhe programe për pastrimin e rregullt të hapësirave publike dhe rrugëve (fillimisht heqje mekanike e mbeturinave me fshirje, pastaj larje).

