Gjermania: 2 milionë euro asistencë teknike Shqipërisë për negociatat me BE
Nënshkruhet marrëveshja ndërqeveritare Gjermani-Shqipëri për ofrimin nga Gjermania të asistencës teknike për të mbështetur përgatitjet e Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE.
Mes Qeverisë shqiptare dhe asaj Gjermane u nënshkrua në Tiranë, të mërkurën, (26.06.2019) marrëveshja për ofrimin nga Gjermania të asistencës teknike për të mbështetur përgatitjet e Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE, në kapituj të përzgjedhur ekonomikë të Acquis.
Në një deklaratë për mediat të Ambasadës Gjermane në Tiranë, bëhet me dije se programi i asistencës teknike ka një vlerë prej 2 milionë eurosh dhe zgjat tre vjet. Ai financohet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe zbatohet nga GIZ, (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar).
Asistencë teknike në 4 kapituj kryesorë ekonomikë
Synimi i asistencës teknike, thekson deklarata e Ambasadës Gjermane në Tiranë, është “të pajisë, anëtarët e strukturave të ardhshme përgjegjëse për negociatat e Shqipërisë, me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të kryer negociatat e anëtarësimit në BE në katër kapitujt kryesorë ekonomikë.”
Kapitujt në fjalë kanë të bëjnë me cilësinë dhe garantimin e sigurisë së produkteve në treg, mbrojtjen e shëndetit dhe të drejtave të konsumatorëve, zhvillimin e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mundësimin për shoqëritë tregtare dhe individët për t‘u vendosur apo ofruar shërbime lirisht dhe pa u diskriminuar kudo në BE.
Përtej 4 kapitujve të sipërpërmendur marrëveshja ofron mbështetje për të avancuar në punën përgatitore të nevojshme për përmbushjen e kritereve të kërkuara në këta kapituj.

