Gjermania do të hapë përfaqësi rajonale në Shkup
Përfaqësi rajonale e ekonomisë gjermane do të hapet në Shkup muajin e ardhshëm, paralajmëroi Holge Tolksdorf, shef i drejtorisë për BE dhe zgjerim, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë federale për Ekonomi në Gjermani.
Në fjalimin e pritjes së mbrëmshme në Berlin, me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë, lajmëroi korrenspondenti i MIA-s, Tolksdorf theksoi se Gjermania si mentor e ka ndihmuar Maqedoninë në të gjitha fushat e jetës së saj shoqërore si atë ekonomike, ashtu edhe politike.
“Viteve të fundit është thelluar bashkëpunimi i kompanive gjermane me ato të Maqedonisë, ndërsa në tetor së bashku me Odën Ekonomike të Maqedonisë dhe Gjermanisë në Shkup do të hapim përfaqësi rajonale të ekonomisë gjermane. Nga Shkupi do të shërbehen edhe kompanitë e Gjermanisë në Tiranë dhe në Prishtinë të cilëve do t’u ofrohen shërbime për inkuadrim më të lehtë në treg”, deklaroi Tolksdorf.
Këmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Gjermanisë i cili është partneri më i madh i jashtëm tregtar për herë të parë këtë vit do ta tejkalojë shumën prej tre miliardë euro.
Sipas Tolksdorf, vendet e rajonit vetë e kanë çelësin për zhvillim dhe stabilitet, kanë edhe dëshirë për afrim drejt BE-së ndërsa vendi i tij është gjithmonë këtu që t’u ndihmojë në atë rrugë. Zgjedhjet e caktuara për 11 dhjetor, vlerësoi, janë imperativ për Maqedoninë me qëllim të përshpejtimit të eurointegrimeve.
Në pritjen në organizim të Ambasadës së Maqedonisë në Berlin morën pjesë mbi 200 mysafirë nga jeta politike, diplomatike, e biznesit, dhe kulturore gjermane, si dhe anëtarët e bashkësisë së Maqedonisë në Republikën Federale Gjermane.
Duke mbajtur fjalim para mysafirëve të pranishëm ambasadori i Republikës së Maqedonisë Sasho Markovski ka folur për zhvillimin e Maqedonisë, integrimet dhe reformat si rrugë e vetme nëpër të cilën lëvizë vendi. Në atë rrugë si shtet dhe si popull kemi hasur në shumë pengesa për të cilat kemi gjetur jo gjithmonë zgjidhje dhe të cilat janë tejkaluar me vullnet, besim dhe kompromise”, porositi ambasadori sipas të cilit askush nuk duhet të ketë dilema se qëllimet strategjike të Maqedonisë janë anëtarësimi në BE dhe NATO.
“Miqësia nuk është dhuratë e cila merret por diçka që duhet të meritohet, me sinqeritet, me përkushtim, besim në një të ardhme të përbashkët. Maqedonia sot ka një numër të madh të përkrahësve dhe miqve të sinqertë, që gjithsesi është motiv të punohet në ndërtimin e shumë miqësive dhe bashkëpunimeve. Republika Federale Gjermane është mik ynë i sinqertë i cili shpesh herë e ka ditur t’i theksojë mundësitë por edhe dobësitë dhe ne atë e respektojmë. Nëse i marrim parasysh parametrat ekonomike RF Gjermane gjithmonë ka qenë në tre vendet e para në bashkëpunimin me Maqedoninë, jam i bindur se kjo miqësi do të mbahet dëshmohet dhe ndërtohet edhe në të ardhmen”, porositi ambasadori Markovski.