Gjermania forcon kufizimet për COVID-19

408

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe krerët e 16 landeve të vendit ranë dakord për ashpërsimin e një sërë rregullash dhe kufizimesh për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Rregullat e reja lidhen me restorantet dhe baret si dhe me shkurtimin e periudhës së karantinës dhe të izolimit.

Ky ishte takimi i parë në vitin e ri midis Scholz-it dhe drejtuesve të landeve, që zhvillohet në një kohë kur qeveria e re gjermane po kërkon të shtojë numrin e të vaksinuarve dhe të forcojë fushatën e vaksinave përforcuese për shkak të shtimit të infektimeve të nxitura nga varianti omicron.

Cilat janë masat e reja?

Në mbarë vendin do të zbatohen rregulla më të rrepta në bare dhe restorante. Kështu hyrja në restorante do t’u lejohet vetëm atyre që janë plotësisht të vaksinuar ose konsiderohen të rikuperuar dhe të cilët paraqesin edhe një test aktual negativ për COVID-19.

Moebel THEMA

“Është një rregull i rreptë, por i domosdoshëm që do të na ndihmojë të kontrollojmë më mirë infeksionet sesa ndodh aktualisht,” tha Scholz, duke mbrojtur këtë masë.

Periudha e karantinës

Po ashtu në takim u miratua edhe shkurtimi i periudhës së karantinës ose izolimit, të cilat aktualisht janë për 14 ditë.

Në përgjithësi periudhat e karantinës dhe të vetëizolimit do të kufizohen në 10 ditë. Kjo periudhë mund të shkurtohet në shtatë ditë, nëse një person është pa simptoma dhe testi PCR ose testi i shpejtë i del negativ. Si teste të shpejtë njihen vetëm ato që kryhen nga personeli mjekësor.

Periudhat më të shkurtra të karantinës vlejnë gjithashtu edhe për punëtorët në “sektorë kritikë” si policia, shërbimet e urgjencës dhe mjekësia.

Rregulli ekzistues që lejon grumbullimet private të personave të vaksinuar dhe të shëruar me një maksimum prej 10 vetësh mbetet në fuqi. Ata që nuk janë vaksinuar do të vazhdojnë të jenë subjekt kufizimesh të rrepta sa u përket kontakteve. /DW/

Comments