Gjermania me masa ekstreme, porosit qytetarët: Mbani ushqime për 10 ditë



Për herë të parë që prej Luftës së Ftohtë, Qeveria gjermane po përgatitet që t’i kërkojë qytetarëve të mbajnë rezerva ushqimi dhe uji të pijshëm për të përballuar dhjetë ditë gjendje emergjence.
Të paktën kështu ka raportuar e përditshmja “Franfurter Allegemeine”, e cila citon burime konfidenciale shumë pranë kabinetit qeverisës.
Gjermania i ka rritur ndjeshëm masat e sigurisë në kushtet kur vendi është goditur disa herë nga sulme terroriste, ndonëse jo në përmasat që është prekur Franca apo Belgjika.
Autoritetet vendosën që të shpenzojnë më shumë për agjencitë ekzistente ligjzbatuese, si dhe për krijimin e një njësie që do të luftojë krimin kibernetik dhe terrorizmin.
Megjithatë, lajmi për këshillimin e qytetarëve që të mbajnë rezerva ushqimore dhe ujë të pijshëm për dhjetë ditë nuk është konfirmuar ende në rrugë zyrtare.
Burimet konfidenciale të së përditshmes gjermane thanë se plani do të diskutohet nga kabineti këtë të mërkurë dhe se do të prezantohet nga ministri i brendshëm në të njëjtën ditë.
Gjithmonë në bazë të burimeve, qytetarët do të jenë të detyruar që ta zbatojnë këtë masë sigurie. Kjo është vetëm një nga masat e sigurisë që janë propozuar në strategjinë më të fundit për mbrojtjen e qytetarëve.
Autoritetet kërkuan gjithashtu mbështetjen e civilëve ndaj forcave të rendit. Përgjatë muajve të fundit, Europa është goditur shpesh nga sulmet terroriste.
Agjencitë inteligjente kanë raportuar se në bazë të informacioneve të grumbulluara prej tyre, rreziku vijon të mbetet i lartë.